Situata pas tërmeteve, Xhafaj sulmon mazhorancën: Qeveria të bëjë transparencë dhe të hartojë strategji të re, nesër do jetë vonë

0
303

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka shfrytëzuar situatën post tërmeteve për të shigjetuar mazhorancën qeverisëse. Duke folur në foltoren e Kuvendit si deputet i Tiranës, qytet, i cili u prek nga tërmeti i 21 shtatorit, ish-ministri Xhafaj kërkoi që qeveria të bëjë transparencë lidhur me dëmet që janë shkaktuar, ndërsa kërkoi edhe hartimin e një strategjie për zonat që janë më problematike. “Po ndjek me interes masat e marra nga qeveria pas tërmetit. E vlerësoj të domosdoshme një transparencë më të mirë përpasojat e tërmetit, si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe pasqyra serioze përballë mundësisë së abuzimit. Jemi në kohë ta bëjmë nëse duam të jemi seriozë me njerëzit”, deklaroi ai. Më tej, ish-ministri Fatmir Xhafaj foli edhe për panikun që krijoi fake news-i i portalit “Syri.net”, duke kërkuar ndëshkim për autorët që përhapën panik. “Gjatë kësaj jave pamë të shfaqej edhe marrëzia e zakonshme politike për të bërë politikë me tërmetin dhe ca më keq akoma çmenduria e një pjese të vogël të medias për ti shërbyer padronit politik apo edhe për të bërë pazar klikimesh në tregun mediatik. Ka ardhur koha që përmes fuqisë së ligjit akte të tilla të ndëshkohen. Kjo është përgjegjësi ndaj njerëzve, por edhe një mësim i mirë për përgjegjësinë ndaj të vërtetës, si detyrim me interes publik”, u shpreh ai. Ndërkohë, Xhafaj kritikoi edhe opozitën, ndërsa shtoi se kjo e fundit shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore për të bërë politikë. Sakaq, deputeti i Partisë Socialiste renditi masat që duhen marrë nga qeveria, me qëllim evitimin e pasojave të frikshme që mund të vijnë nga fatkeqësitë natyrore. “Tërmetin nuk mund ta parashikojmë, por dëmet mund ti parandalojmë, qeveria duhet të përgatisë një strategji të qartë reflektimi me një plan serioz reflektimi. Duhet dokumentim shkencor i vendit, harta sizmike, zonat problematike. E kemi të domosdoshme ngritjen e institucioneve shkencore, kontrollin e ndërtimeve, lejet e paligjshme. Tërmeti na paralajmëroi ne duhet të veprojmë se nesër mund të jetë shumë vonë, nënvizoi ish-ministri i Brendshëm, njëherësh deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here