Edmond Spaho: PD po përgatitet për të marrë pjesë në zgjedhje të parakohshme, duhet të miratohet reforma zgjedhore

0
297

Aksioni opozitar kundër qeverisë duket se po shkon drejt dështimit. Partia Demokratike është distancuar nga protestat, duke i lënë vend organizimit në parti dhe përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme. Këtë gjë e vërtetoi dje ish-deputeti Edmond Spaho, i cili deklaroi se rruga e vetme për zgjidhjen e krizës politike në vend janë pjesëmarrja në zgjedhje. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme duhet të miratohet sa më parë reforma zgjedhore, duke shtuar se miratimi i kësaj reforme kërkon vullnet politik. “Nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e krizës përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mazhoranca duhet të kuptojë që vendi është në krizë të thellë dhe e vetmja mënyrë është që të ulet me opozitën dhe të gjejë modalitetet që do të na çojnë në zgjedhje të lira. 30 qershori tregoi që qeveria e Edi Ramës nuk organizon dot zgjedhje të ndershme. Pavarësisht se reforma zgjedhore është e rëndësishme, ajo vetë në tërësi është e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është i domosdoshëm vullneti politik për të mos prekur zgjedhjet dhe të qeverisë ajo forcë që është në gjendje që të bindë shumicën e qytetarëve”, deklaroi Spaho. Më tej, ish-deputeti u shpreh se PD po përgatitet për të marrë pjesë sapo të caktohet një datë për zgjedhjet e parakohshme. “Indirekt në raportin e OSBE dhe direkt në raportin e Bundestagut theksohet se është domosdoshmëri kapërcimi i krizës me mjete politike dhe në këto kushte, opozita ka nisur përgatitjet që kur të përcaktohet një datë për zgjedhjet e parakohshme, të jemi të gatshëm të hyjmë me të gjitha kapacitetet tona. Qeveri me Edi Ramën nuk pranojmë më. Ia dhamë një herë këtë mundësi, por e pamë se si përfunduan zgjedhjet e vitit 2017”, tha Spaho. Në lidhje me raportin paraprak të Komisionit të Venecias, Spaho u shpreh se nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit. “Komisioni është marrë ngushtësisht me një çështje juridike, por nuk mund të komentoj raportin paraprak. Mendimi ynë është që Presidenti, bazuar në Kushtetutë, në kushtet kur ekzistonte mundësia e përplasjes civile, shtyu zgjedhjet dhe mendojmë se veproi drejtë”, tha ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here