Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka renditur arsyet pse dosja e Izet Haxhisë do të vijojë gjykimin tek Gjykata e Krimeve të Rënda, për t’ia lënë rrugën më pas Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Javën e kaluar treshja gjykuese e përbërë nga Kujtim Vraniçi, Erjon Bani dhe Lazer Sallaku vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë dhe të shpallë moskompetencën për çështjen e Izet Haxhisë, i cili akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Azem Hajdarit. Përmes këtij vendimi, kjo dosje transferohet tek Krimet e Rënda, ndërsa me ngritjen e SPAK ajo kalon aty sipas përcaktimeve ligjore. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Tiranës thuhet se Gjykata e Lartë ka nxjerrë një vendim sa iu takon kompetencave të gjykatave për të gjykuar çështjet. Sipas këtij vendimi, për veprën penale “Vrasje e funksionarit publik” përgjigjet Gjykata e Krimeve të Rënda. “Për të gjitha veprat penale të listuara në nenin 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale kompetencën lëndore për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme do ta ushtrojnë prokuroritë për krimet e rënda, respektivisht sipas shkallëve të gjykimit. Nga përmbajtja e këtij vendimi njësues rezulton se Prokuroria e Krimeve të Rënda deri në momentin e krijimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion ka kompetencë lëndore të bëjë ndryshimin e akuzës në gjyq për të gjitha veprat penale të listuara në nenin 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale, ku hyn dhe “Vrasja e funksionarëve publikë”, për të cilën akuzohet i pandehuri Izet Haxhia”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
Argumenti tjetër
Tjetër argument që treshja gjykuese ka përdorur për të shpallur moskompetencën për dosjen e Izet Haxhisë është një tjetër pikë e vendimit të Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit ka përcaktuar që dosjet e rihapura, siç është rasti i Izet Haxhisë, do të gjykohen nga Krimet e Rënda derisa të ngrihet Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. “Në vendimin njësues nr. 13, datë 04.04.2018 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë trajtohet rasti se cila do të jetë gjykata që do të rigjykojë çështjen nga pikëpamja e kompetencës lëndore, nga data 01.08.2017 e deri në momentin kur të krijohet Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në pjesën arsyetuese të këtij vendimi thuhet se: “Deri në momentin e krijimit të gjykatave të posaçme, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, gjykatat e zakonshme të Apelit dhe Gjykata e Lartë, në rastin kur vendosin prishjen e vendimit objekt-ankimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim, do ta kthejnë çështjen për rigjykim në gjykatën kompetente lëndore sipas parashikimeve të nenit 74 dhe 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale”, theksohet në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Tiranës. Kjo do të thotë qartë se deri në momentin që SPAK të ngrihet, Izet Haxhia do të kërkojë të gjejë të drejtën tek Krimet e Rënda. Më pas, dosjen e tij do ta marrin në dorë gjyqtarët e SPAK, të cilët do të ndjekin në vijim çështjen, marrjen e dëshmive dhe vlerësimin e provave të reja. Nëse gjatë hetimit gjyqtarët e SPAK gjejnë prova që nuk kanë dalë më herët, atëherë mund të vendosin për rihapjen e plotë të dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit.
Brenda vitit përballja Haxhia-Berisha
Struktura e Posaçme Antikorrupsion pritet të ngrihet brenda tetorit. Kjo do të thotë se as përballja mes Izet Haxhisë dhe Sali Berishës nuk do të vonojë. Haxhia kërkon që Berisha të jetë dëshmitari i parë që të japë llogari për atentatin ndaj Hajdarit. Pra, brenda vitit ish-kryeministri pritet të futet në sallën e gjyqit për të dëshmuar për vrasjen e Hajdarit e për t’u përballur me akuzat e Izet Haxhisë.
Mimoza Ibra


































