Riberi është “zbulimi” i madh i merkatos në Serie A, vendimtar për Fiorentinën, po “pensionon” Ronaldon

0
398

Serie A italiane po bën përpjekje të lerë pas vitet e dobëta të saj e të rikthehet fuqishëm në majën e futbollit europian, pavarësisht se rivalitetin kontinental po e dominon Premier League angleze, e ndjekur nga La Liga Spanjolle. Gjithsesi, Juventusi ka pasur një performancë shumë të mirë gjatë këtyre viteve në Champions dhe pavarësisht se nuk e ka fituar trofeun, ka qenë një skuadër pretendente gjatë gjithë kohës, me qëndrueshmëri të admirueshme. Jo vetëm kaq, por ka një përtëritje të disa klubeve italiane të traditës, si Napoli, Lacio, apo dhe Fiorentina e Sampdoria, që projektojnë të kthehen në Europë. Fiorentina është më afër, pasi ka bërë një merkato të zgjuar, duke gërshetuar lojtarët e rinj me ata me përvojë. Por në të njëjtën kohë Fiorentina ka bërë një superblerja në verë. Edhe pse 36 vjeç, Frenk Riberi po tregon në fushën e lojës që është një superlojtar, me energji të pashtershme dhe që bën diferencë. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta në Serinë A për t’u treguar të gjithëve se francezi është lojtari i duhur për këtë ekip dhe trajneri Vincenzo Montela ka një “as” në dorë që mund të sjellë ndryshimin e madh në radhët e klubit vjollcë. Në fakt, siç dihet, Frank Riberi u largua nga Bajerni me një ide të qartë pas 12 viteve, 425 ndeshjeve, 124 golave dhe 182 asisteve te dhuruara: të vazhdonte të luante futboll ashtu si Françesko Toti deri në moshën 40-vjeçare. Refuzoi oferta të larta nga Katari dhe ofertat faraonike nga Kina vetëm për t’i treguar të gjithëve që vijon të ketë nivel për të luajtur në elitë. Te Fiorentina po tregon se mosha 36-vjeçare nuk e pengon për asgjë. ”Nëse me sjellin një futbollist si ai, – u shpreh Montela, – do t’u ofroj drejtuesve një darkë në shenjë falënderimi”. Ky vlerësim duket se ka qenë i drejtë. Numrat e konfirmojnë këtë. Riberi u bë pjesë e ekipit vjollcë kur ishte jashtë forme e, në fakt, ka luajtur vetëm 240 minuta, ku në dy ndeshjet e para erdhi nga stoli, ndërsa në 3 të fundit luajti titullar. Kaq i ka mjaftuar të shndërrohet në një nga figurat kryesore të kampionatit italian. Shënoi një gol të rëndësishëm pas pasimit të Federiko Kiezas në barazimin 2-2 ndaj Atalantës dhe dha një asist për Pezellan, që i ndihmoi futbollistët vjollcë të fitonin 2-1 me Sampdorian. Francezi është futbollisti i dytë që ka më tepër gjuajte drejt portës në Serinë A. Kjo vërteton se mosha nuk ka ndikuar në formën dhe cilësitë e Riberi, i cili, me sa duket, ka pasur forcë për të vijuar edhe te Bajerni, por tani shkëlqen te Fiorentina. Në tri ndeshje ai e ka çuar Fiorentinën p-ranë fitores, me golat dhe asistent e tij, e sidomos me paraqitjen e tij mbresëlënëse, thuajse vendimtare, por vetëm duelin e fundit ka mundur të fitojë Fiorentina, pasi në dy duelet e tjera i ka rrëshqitur fitorja nga duart. Duhet që Riberi të qëndrojë në fushë për të marrë maksimumin skuadra. Dhe francezi e garanton këtë me klasin dhe formën e tij të mirë sportive. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here