Kushtet gjermane, ja si do hetohen pushtetarët e korruptuar përmes kapitujve 23 dhe 24, listë me emra dhe afate fikse për të nisur arrestimet

0
295

Nëntë kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave pritet që të sjellin tërmet në politikën shqiptare. Gazeta ka siguruar vendimin e plotë të grupeve parlamentare të CDU/CSU dhe SPD dhe aty bëhet e qartë se Bashkimi Evropian do të vendosë afate për arrestimin e pushtetarëve të korruptuar. Sipas draftit, me fillimin e negociatave do të duhen të hapen kapitujt 23-24 të anëtarësimit, kapituj të cilët kanë si bazë luftën kundër korrupsionit. Por gjermanët e kanë bërë të qartë se pa u përmbushur përcaktimet në këto kapituj, nuk do të vijohet me kapitujt e tjerë. Pra, kjo do të thotë se nëse nuk arrestohen pushtetarët e korruptuar, proceduarat e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE mbeten në mes. Po ashtu aty thuhet e do vendosen afate fikse se deri kur duhet të realizohen arrestimet “VIP”. “Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe; Të sigurojë që shtjellimi i këtyre kapitujve (para së gjithash kapitulli 23 Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore, kapitulli 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) të kryhet në fillim të negociatave dhe ato të mbyllen vetëm në fund të negociatave. Planet e veprimit për këto kapituj të propozuar nga Komisioni duhet të përcaktojnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave përbën një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj; kapitujt e tjerë të negociatave nuk duhet të hapen më parë. Komisioni duhet të raportojë rregullisht për zbatimin e planeve të veprimit, përveç progres raporteve vjetore. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha”, thuhet në dokument. Po ashtu Bundestagu kërkon listë me emra që janë hetuar, arrestuar apo gjykuar për afera korrupsioni. “Ndërsa hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar po njohin sukses, ato duhet të vazhdojnë me shpejtësi dhe energji në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë”, thuhet më tej.

Kërcënimi gjerman

Por ajo që bie në sy tek nëntë kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave, të cilët kanë marrë bekimin e grupeve parlamentare të CDU/CSU dhe SPD, është fakti se kërkohet me ngulm që të shkohet sa më parë tek arrestimet e bujshme. Pra, në raport Gjermania kërcënon, madje paralajmëron Shqipërinë se nëse nuk shkohet tek arrestimet “VIP”, negociatat do të bllokohen. “Që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta; të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin”, thuhet në raport. Kjo do të thotë se me hapjen e kapitujve 23 dhe 24, pushtetarët e korruptuar nuk kanë nga t’ia mbajnë, pasi qeveria është e detyruar që të nisë gjuetinë ndaj tyre, në mënyrë që të mos bllokohen negociatat, pasi përveç Bashkimit Evropian, monitorim sa i takon luftës anti-korrupsion do të bëjë edhe Bundestagu. Thënë më troç, nëse Gjermania nuk shikon një listë të gjatë me arrestime pushtetarësh, ajo do t’i bllokojë negociatat. Ndërkohë, në raport një vëmendje i është kushtuar edhe reformës në drejtësi, për të cilën flitet me superlativa dhe ka një vlerësim maksimal. 

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here