Boksieri bullgar i cili humbi jetën në Shkodër fundjavën e shkuar, nuk ishte Jezus Velichkov por Boris Stancov i cili ka marrë pjesë në këtë aktivitet me dokumente të falsifikuara.
22-vjecari humbi jetën thuajse pas një arresti kardiak në raundin e katërt, pa patur ndonjë sulm të ashpër ndaj tij. Nuk dihet ende arsyeja se përse stafi dhe trajneri bullgar e ka rrezikuar Boris Stancov të garojë me dokumente false të një kushëriri të tij boksier profesionist. I pyetur nga mediat bullgare vetë Velickov, i cili u njoftua se humbi jetën në momentin e parë, ka theksuar: “Kishte që nga viti 2018 që mbante kartën time të identitetit, ai më thoshte se nuk ka problem pasi trajneri e dinte këtë gjë.”
Ajo që është dhe më e çuditshme është fakti që të dy boksierët nuk kanë ndonjë ngjashmëri me njëri-tjetrin, përpos kësaj, për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë të boksit profesionist, duhen tre dokumenta kryesore një licencë prej boksieri profesionist, duhet të ketë autorizim dhe duhet që të ketë lejen e federatës dhe kartelën mjekësore. Nuk dihet nëse të gjitha këto dokumente kanë qenë dhe në rregull apo të falsifikuara që janë paraqitur ndaj organizatorëve të cilët më pas e lejuan të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Policia bullgare ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e boksierit, dhe gjatë marrjes në pyetje të shokut të ekipit, Ruslan Nikolov ka zbuluar detajin tronditës.
“Trajneri i dha atij diçka si ampulë, për ta bërë më agresiv dhe më të motivuar në ring. Por ai nuk pranoi ta pinte. Pastaj trajneri i tha “mos u bëj fëmijë por pije”. Ai derdhi gjysmën e ujit nga gota dhe piu gjysmën tjetër. Nuk dua të gënjej. Po ju them vetëm atë çka di”, ka deklaruar Ruslan Nikolov