Qeveria shqiptare ka rikthyer ligjin e amnistisë për të burgosurit, ku përfituesit kryesorë nga miratimi i këtij ligji do të jenë të miturit dhe gratë e dhunuara. Ligji për amnistinë është propozuar që vitin e kaluar, por ngeli thjesht në letër pasi opozita e asaj kohe nuk i dha votat për ta miratuar. Ligji i amnistisë kërkon 84 vota për tu miratuar dhe pritet që të hyjë në fuqi brenda muajit shtator. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi ditën e djeshme një interpelancë me gratë e burgosura në burgun “Ali Demi”, ku prezantoi projektligjin, i cili do të ofrojë mundësinë për të fituar amnisti, disa kategori të caktuara të grave të burgosura. Kështu, grave që u kanë ngelur edhe 3 vjet heqje lirie, do të jenë pjesë e kategorisë së përfituesve të amnistisë. Po ashtu, pjesën e lirisë do të kenë mundësi ta fitojnë edhe gratë të cilat kanë fëmijë të mitur, në mënyrë që të bashkohen sa më parë. Përfitimin e amnistisë do të kenë mundësi ta fitojnë edhe gratë të cilat kanë mbushur moshën 55 vjeç. Por nga amnistia do të përfitojnë edhe ato gra të cilat janë në ndjekje penale. Në kategorinë e përfituesve të amnistisë janë edhe të miturit, me qëllim që numri i atyre që do të lirohen të jetë sa më i lartë. Projektligji për amnistinë është drejt përfundimit, ku tani pritet vetëm miratimi nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme për të përcaktuar kategoritë fikse. Më pas, projektligji do të kalojë në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend për tu miratuar. Me opozitën e re në Parlament, ky projektligj do të marrë votat e nevojshme për tu miratuar dhe për të përfituar kategoritë kryesore. “Projektligji është pothuajse i përfunduar. Pritet që të merret një miratim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme lidhur kryesisht me kategorinë e grave apo të gjithë personave që ndodhen në institucione ekzekutimi të vendimeve penale, por që janë me statusin si të paraburgosur, pasi nuk kanë ende një vendim të formës së prerë. Dhe menjëherë deri në fund të shtatorit ne planifikojmë që amnistia të miratohet në Qeveri. Pas miratimit në qeveri projektligji do të kalojë menjëherë në Parlament me qëllim që dhjetori, Krishtlindjet, personave që do përfitojnë nga amnistia t’i gjejë pranë familjeve të tyre”, u shpreh ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë interpelancës me gratë e burgosura.
Home Aktualitet Qeveria rikthen amnistinë për të burgosurit, ligji gati brenda shtatorit, përfituesit kryesorë...