“Një koncert për paqen”, kështu e kanë quajtur shfaqjen e orkestrës “Magna Grecia”, që përfaqëson Rajonin e Pulias, në festivalin “De-Fest Apollonia 2019”, në qytetin e Fierit. Festivali, që organizohet nga Bashkia Fier, nën drejtimin e Agron Xoxës, drejtor i Qendrës Kulturore çeli siparin me shfaqjen “Këngëtarja Tullace”, vënë në skenë nga regjisori Spiro Duni. Koncerti erdhi për publikun me një repertor të larmishëm dhe solli emra të kompozitorëve të mëdhenj italianë si Verdi, Puçini, Turco e shqiptarë si Prenk Jakova, me të famshmen “Margjelo”. Në të merrnin pjesë artistët më të mirë të vendit dhe të huaj, me emra si Erika Liuzzi (soprano), Roberto Cervellera (tenor), Armaldo Kllogjeri (tenor) dhe Piero Romano drejtor i orkestrës “Magna Grecia”. Ndërkohë, turneu i kësaj shfaqje do të vijojë në Shqipëri në Tiranë, përsëri në Fier e mandej do të udhëtojë në Greqi e Mal të Zi. “Një koncert për paqen” ka si qëllim bashkimin e popujve dhe kulturave të ndryshme, si një koncept unik i paqes universale. Festivali “De-Fest Apollonia” i konceptuar si promovues dhe arenë debati i teatrove vendorë. Në këtë mënyrë ai funksionon me shfaqjet turne, duke rizgjuar edhe skenat teatrore të qyteteve më të vogla, ku teatrot janë ndoshta dhe inekzistent. Prej katër vitesh festivali “De- Fest Apolonia” sjell në qytetin e Fierit teatrot vendorë të Shqipërisë, si dhe të vendeve fqinjë. Kjo lëvizje tanimë traditë e vjeshtës kulturore të qytetit pritet edhe më me kërshëri, e shumë pritshmëri për vetë jehonën, që në një kohë kaq të shkurtër ka gjeneruar. “De – Fest Apollonia 2019” në Fier këtë vit është me pjesëmarrjen e teatrove nga Fieri, Tirana, Gjirokastra, rajoni i Pulias, Gjilani, Budva e Shkodra. Vepra “Këngëtarja tullace”, që u ngjit e para në skenën e këtij festivali është vepër shkruar nga autori Eugene Ionesco. Me regji nga Spiro Duni vepra shënoi premierën e saj në teatrin “Bylis”. Në rolet e shfaqjes teatrore “Këngëtarja tullace” janë aktorët Fatmir Xhelili, Miola Sitaj, Flaura Kureta, Astrit Hasani, Doriana Çaushi, Margent Caushi. Festivali “De- Fest 2019” organizohet nga Bashkia Fier, në kuadrin e projektit “Programi IPA Itali-Shqipëri-Mal i Zi”.