Zbardhen fakte konkrete se si janë masakruar klientët e Veneto Banka, pas falimentimit të kësaj të fundit, në kujdesin e Bankës së Shqipërisë. Pas fakteve që tregojnë se si Banka e Shqipërisë ka mbështetur skandalin, janë vetë qytetarët ata që tregojnë se si po u grabiten pronat. Gazeta ka siguruar ankesën e një qytetari pranë Avokatit të Popullit, i cili denoncon se si nuk është informuar për asnjë moment për ndryshimin të dhënave të kolateraleve që ka lënë ai si garanci. Për arsye konfidenciale nuk po e bëjmë publik identitetin, por po tregojnë pjesë nga raporti i Avokatit të Popullit. “Shoqëria italiane e mbledhjeve të borxheve të këqija “SGA” spa, ka kryer ndryshimin e Inskriptit të Pronës pranë ZRPP Tiranë, me anë të Noterit Ermal Hamzaj dt. 6 Gusht 2018, fillimisht nga në favor të Veneto Banka sh.a. sipas Kontratës së kredisë, në favor të Veneto Banca spa – LCA, pa qenë aspak në dijeni. Në dt. 25.09.2018, Inskripti i Pronës ndryshon sërish nga Noteri Alket Mancka nga Veneto Banca spa – LCA në një tjetër subjekt Italian “SGA” spa. Edhe këtë herë unë si kreditor i Veneto Banka sh.a me të cilën kisha një kontratë kredie, nuk jam vendosur sërish në dijeni. Pra të dyja këto veprime noteriale nga dy noterë shqiptarë konstatohet që kanë kryer një shkelje të rëndë të cenimit të së drejtës së pronësisë së një shtetasi shqiptar, duke e tjetërsuar atë në favor të një subjekti jashtë territorit shqiptar, saktësisht atij italian”, ka deklaruar ai. Më tej personi në fjalë shprehet se si kredimarrës nuk është vendosur fare në dijeni. Madje sipas tij, ky është një detyrim në kontratën që është firmosur me bankën italiane. “Për të gjitha këto ndryshime pronësie unë si kreditor i Veneto Banka sh.a. e përsëris që nuk jam vendosur aspak në dijeni, pa marrë miratimin me shkrim siç edhe përcakton Neni 16 në Kontratën e Kredisë me bankën. Dhe situata bëhet akoma më e rëndë kur në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një bankë tjetër në Shqipëri, ashtu siç edhe ndodh rregullisht procesi i transferimit të kredive nga një bankë e nivelit të dytë në tjetrën. Pra nuk kemi të bëjmë me një Shoqëri Mbledhje Borxhesh të Këqija Shqiptare. SGA spa është subjekt italian”, thuhet më tej në ankesën pranë Avokatit të Popullit. Por kjo implikon drejtpërdrejt Bankën e Shqipërisë dhe guvernatorin Sejko, pasi pa lejen e tij nuk mund të ndodhte asgjë.
Grabitja e pronave
Personi në fjalë kërkon ndërhyrjen e autoriteteve. Sipas tij, po bëhet grabitja e pronave për klientët e Veneto Banka. Po ashtu tregohet dhe neglizhenca nga ana e Bankës së Shqipërisë. “Kjo procedurë e them me bindje se është një procedure e pastër “grabitje pronash” të një shtetasi shqiptar nga ana e një subjekti italian që funksionon sipas juridiksionit italian. Ndërkohë që ju bëj me dije se i jam drejtuar disa herë kësaj Shoqërie Mbledhje Borxhesh të Këqija, SGA spa edhe me letër zyrtare e përgatitur nga ana e Studios Avokatore e angazhuar nga ana ime për të më asistuar në këtë proces, “Petraj & Partners”. Nuk kemi asnjë përgjigje! Ndërkohë që i jam drejtuar disa Institucioneve Shqiptare, si psh. AMF ku përgjigjja zyrtare është që “nuk e kemi në kompetencë ta trajtojmë si problem”. Gjithashtu edhe Bankës së Shqipërisë e cila ashtu si në të gjitha rastet kur i jam drejtuar ‘nuk pranon të kthejë përgjigje’”, thuhet në letër. Po ashtu kritika ka pasur dhe për Autoritetin e Konkurrencës. Personi në fjalë bën të ditur se ka bërë dhe kallëzim penal në prokurori. “Së fundmi i jam drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një kallëzim penal, nga ku ju bëj me dije se çështja është në procesin e vlerësimit hetimor. Po kështu i jam drejtuar edhe Platformës për Bashkëqeverisje, ku kam marrë përgjigje se subjekti italian SGA spa nuk rezulton të jetë i regjistruar fizikisht në Shqipëri dhe nuk paguan detyrime tatimore, nuk ka një seli ku të ushtrojë aktivitetin e tij tregtar. Edhe kjo një tjetër shkelje e pastër e legjislacionit shqiptar për Shoqëritë Tregtare për të përligjur atë që ka si aktivitet kryesor të tij ky subjekt privat italian që në Shqipëri kërkon të mbledhë borxhet e klientëve shqiptarë”, thuhet më tej në ankesë.
Kliti Topalli