Festivali i këngës qytetare “Luleborë” do të sjellë edhe këtë vit krijime nga kompozitorë të ndryshëm. Këtë vit në festival do të marrin pjesë 16 krijues me këngët e tyre. Në bazë të ftesës së hapur për pjesëmarrje të datës 6 qershor të shpallur në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër, për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar për festivalin e këngës qytetare “Luleborë”, janë shqyrtuar nga ekspertë të fushës të gjitha materialet muzikore të depozituara pranë bashkisë. Këngët fituese për festivalin e këngës qytetare “Luleborë” janë krijime nga Arian Elezi, Bardhyl Hysa, Eugen Balca, Enis Mullai, Edmond Zhulali, Kolë Laca, Luan Dagistani, Lekë Jakova, Namik Jahja, Oleg Gjerga, Pranvera Badivuku, Roland Guli, Tonin Tarnaku, Nexhat Rexha, Zihni Beqiraj dhe Zef Çoba. Prej tre vitesh në Shkodër organizohet festivali i këngës qytetare “Luleborë”, një traditë e kthyer pas rreth 30 vitesh mungesë. Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite, Bashkia Shkodër organizon këtë vit edicionin e katërt të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”. Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, me motive shkodrane, duke i dhënë një dimension të ri asaj; duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “live” të çdo elementi të këtij festivali. Për rrjedhojë, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët, duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e këtij projekti, që janë dhe njësitë matëse për vlerësimin paraprak të këngëve. Kriter kryesor i festivalit që do të zhvillohet këtë vit në qytetin e Shkodrës është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja. Festivali “Luleborë” i këtij viti do të zhvillohet në muajin tetor. Juria e festivalit do të jetë e përbërë nga emrat më të njohur të krijimit dhe interpretimit të muzikës. Performimi muzikor do të mbahet nën interpretimin live të “Orkestrës Luleborë”, e cila përbën edhe themelin e suksesit të festivalit të këngës qytetare “Luleborë”.