Pas takimit me kryetaren në largim të bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, Lulzim Basha nuk i kurseu as këtë herë akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati tha në një prononcim për mediat se zgjidhja për t’i dhënë fund krizës politike në vend janë vet shqiptarët dhe jo ndërkombëtarët. Mes të tjerash Basha tha se shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, ndërsa shtoi se aksioni i PD dhe aleatëve opozitarë do të vazhdojë.
“As Edi Rama dhe qeveria nuk kanë përgjigje për vendin dhe as për Shkodrën. Vendi ndodhet në udhëtim delikat dhe kritik. Sa i përket ekonomisë dhe fatit të integrimit evropian të vendit. Ndaj ne si opozitë, PD dhe aleatët, të bashkuar, kemi sot përgjegjësinë që t’i japim shqiptarëve zgjidhjen që e meritojnë. Kriza është prodhuar nga bashkëpunimi i politikës me krimin dhe ajo mund të zgjidhet duke e ndarë atë nga krimi. Proces zgjedhor pa garancinë se qytetarët nuk do të dhunohen, pa një transformim të thellë, nuk mund të ketë. Do të vazhdojmë betejën deri në fund për të çliruar Shqipërinë nga politika e lidhur me krimin. Ky është qëllim që bashkon gjithë shqiptarët e ndershëm. As Rama e as organizata e tij kriminale nuk kanë as përgjigje dhe as zgjidhje për Valdrin Pjetrin, Kajmakun, apo Babanin. Rruga e zgjidhjes së kësaj krize të jetë sa më e mundshme dhe e shkurtër. Kjo situatë e mundimshme ekonomike që është produkt i krizës ekonomike nuk mund të zgjasë dhe triumfi mbi të keqen nuk do të vonojë. Shkodra ka qenë dhe është simbol i pathyeshmërisë para të keqes. Ska zgjidhje nga jashtë. Zgjidhja do të vijë nga brenda. Jashtë kemi pasur miq, por kjo krizë nuk zgjidhet duke bërë viktimë apo duke parë nga qielli. Zgjidhet duke marrë në dorë fatet tona”, tha Basha.