Mediat italiane ngrenë në “qiell” Kumbullën e Rrahmanin, “eklipsuan” Piatek

0
298

Shqipëria luajti dy ndeshje këtë muaj në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020, Grupi H, duke humbur fillimisht thellë 4-1 ndaj Francës, por duke fituar bindshëm 4-2 ndaj Islandës dhe duke ngjallur disi shpresën për një kualifikim të mundshëm, megjithëse ky objektiv mbetet shumë i vështirë. Natyrisht, me trajnerin Edi Reja ka një kombinim të mirë mes lojtarëve me përvojë dhe në formë të mirë sportive dhe të rinjve të talentuar që kërkojnë një shans për të spikatur, një kombinim që në duelin kundër islandezëve, nisur dhe nga aplikimi i një moduli taktik efikas, dha frytet e dëshiruara, pasi skuadra fitoi me lojë dhe rezultat. Në kuadër të grumbullimit, ishte i ftuar edhe një prej mbrojtësve të rinj premtues, sikurse është Marash Kumbulla, lojtari që po bën “çudira” në kampionatin italian, pasi vetëm 19 vjeç ai luan në Serinë A me Veronën. Nuk është e lehtë të luash në këtë moshë në Serinë A, për më tepër të jesh mbrojtës e përballë të kesh sulmues të nivelit shumë të lartë, sikurse është Piatek i Milanit. Por Marash Kumbulla e “gozhdoi” në vend sulmuesin polak të Milanit, duke e “eklipsuar” gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht se Milani e fitoi ndeshjen 1-0 me Veronën, pikërisht me golin e Piatek me penallti, mediat sportive italiane kanë vlerësuar lart shpirtin sportiv të Kumbullës dhe natyrisht profesionalizmin e tij në këtë takim, duke spikatur si një prej më të mirëve në fushën e lojës dhe duke marrë notë të lartë për paraqitjen e ij mbresëlënëse. Kështu, skuadra e njohur italiane, Hellas Verona, skuadër e dy shqiptarëve të mbrojtjes, Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani, është mposhtur të dielën në darkë prej Milanit. Kuqezinjtë iu falën një penalltie të ekzekutuar saktësisht nga sulmuesi Piatek për të marrë tri pikët nga transferta e vështirë, por për shqiptarët nuk ka peng. Seose, në vlerësimet pas ndeshjes, bie në sy lavdërimet për Kumbullën dhe Rrahmanin. 19-vjeçari i Kombëtares së Shqipërisë, ka befasuar jo pak opinionin, teksa pavarësisht moshës në fushë është shfaqur me personalitet. “ Jo shumë i saktë në nisjen e topave të gjatë nga mbrojtja, por pavarësisht moshës së re, ia del shumë mirë me personalitetin e treguar. Një test difensiv i shkëlqyer, pa marrë parasysh se duhet të mbante nën kontroll rrezikun Piotek”, ishte përshkrimi për ndeshjen e Kumbullës. Vlerësimet ishin edhe për Rrahmanin. “ Konfirmon indikacionet pozitive prej javës së parë, kupton dhe kontrollon zonën e tij edhe pasi ekipi mbeti me 10 vetë pas daljes me të kuq të Stepinskit”, thuhej në përshkrimin për paraqitjen e Rrahmanit. Duhet thënë se mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, ka qenë më parë tek Shqipëria, por nuk ia doli të siguronte vend titullari dhe e pa të udhës të vishte bluzën e Kosovës për të marrë një shans. Dhe nuk ka gabuar, pasi Rrahmani është shndërruar në lider i mbrojtjes e madje në disa ndeshje ka mbajtur shiritin e kapitenit, duke qenë titull i padiskutuar dhe me peshë në repartin mbrojtës të përfaqësueses shqiptare të Kosovës. Pra Rrahmani po konsolidohet dhe pavarësisht se vjen nga kampionati kroat, ku ka luajtur me Dinamon e Zagrebit, ai po përshtatet mjaft mirë në kampionatin italian dhe loja e mirë apo besimi që ka krijuar i japin shanse të mira për të bërë një sezon fantastik në futbollin elitar italian. Nuk janë vetëm dy mbrojtësit e Hellas Veronës që po luajnë mirë e marrin vlerësime pozitive në shtypin sportiv italian, pasi në Serie A por edhe në serie B ka futbollistë që lënë gjurmë. Memushaj është një i tillë tek Peskara, por nuk duhen lënë pas dore dy portierët e talentuar, Berisha dhe Strakosha, i pari me Spalin dhe tjetri me Lacion, që dueluan së bashku në fundjavë dhe duelin e fitoi pikërisht Berisha. Ndërsa duelin në Kombëtare e fitoi Strakosha, pasi luajti titullar në të dy takimet ndaj Francës dhe Islandës.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here