Prokurorët e Shkallës së Parë u tremben përgjimeve dhe kontrollit të llogarive bankare, refuzojnë vendin bosh në KLP

0
278

Prokurorët e Shkallës së Parë duket se janë të frikësuar nga përgjimet dhe kontrolli i llogarive të tyre bankare. Që prej datës 2 shtator, Prokuroria e Përgjithshme ka hapur garën për të zëvendësuar Gentjan Osmanin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Osmani u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe në këto kushte për zëvendësimin e tij duhet që të mblidhet edhe një herë Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve për të zgjedhur anëtarin e ri. Por teksa kanë mbetur edhe pesë ditë afat nga shpallja e interesit për të gjithë prokurorët e Shkallës së Parë, nuk ka asnjë kandidaturë. Sipas informacioneve nga Prokuroria e Përgjithshme, deri më tani nuk është regjistruar asnjë aplikant. Si duket, prokurorët tremben nga përgjimet e telefonatave dhe kontrolli i llogarive bankare. Sipas ligjit, kushdo që pranon të jetë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë duhet që medoemos të pranojë edhe përgjimet, edhe kontrollin e llogarive bankare. Emrat anëtarë të KLP do të duhet të durojnë faktin se gjatë gjithë kohës telefonat e tyre janë nën përgjim dhe se llogaritë e tyre bankare do të kontrollohen hera-herës për të parë transaksione apo lëvizje të dyshimta. Por mesa duket një përcaktim i tillë ligjor i ka trembur të gjithë prokurorët e Shkallës së Parë. Kujtojmë që më herët KPA shkarkoi nga detyra edhe një anëtare tjetër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdarin. Edhe për këtë të fundit Prokuroria e Përgjithshme rihapi garën, ndërsa kandidatura e vetme që u regjistrua ishte ajo e Vatë Stakës. Më pas u thirr Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, e cila votoi për Stakën. Në fakt kjo mbledhje u shoqërua edhe me debate mes Arta Markut dhe prokurorëve të pranishëm sepse pati nga ata që pretendonin se procesi i votimit është i pavlefshëm, për sa kohë është vetëm një kandidat në garë. Momentalisht, KLP po funksionon me vetëm 10 anëtarë. Mbetet të shihet nëse në ditët në vijim do të ketë shpallje interesi për vendin vakant të Gentjan Osmanit. Nëse jo, pritshmëritë janë që Prokuroria e Përgjithshme ta shpallë edhe një herë thirrjen për aplikime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here