Hysaj në formacionin e “yjeve” në eliminatore, Gjasula – basti i fituar i Rejës

0
343

Shqipëria luajti në shtator dy ndeshje në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2020, në grupin H, ku u mund fillimisht nga Franca 4-1, në stadiumin kombëtar të Parisit, ndërsa fitoi duelin ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, me shifrat 4-2, duke kompensuar kështu jo vetëm golavarazhin, por duke bërë një hap përpara në renditje dhe duke ngjallur shpresat për kualifikim në një kohë që ishin shuar krejtësisht shanset pas disfatës së Parisit. Edhe pse shanset janë teorike, është gjë e bukur të shpresohet deri në fund për një kualifikim të mundshëm. Ndërkohë, fitorja e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht në shtypin sportiv europian, sidomos atë francez, ku vetë gazeta e madhe “France Football” ka zgjedhur mbrojtësin dhe kapitenin Elseid Hysaj në formacionin e “yjeve” të dueleve të 10 shtatorit në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020. Në fakt, pak ditë më parë e cilësonte si imazhin e dështimit të Shqipërisë përballë Francës, por këtë herë “France Football” ka vetëm elozhe për Elseid Hysajn. Revista e njohur sportive, e cila është ajo që ka dorëzon trofeun e “Topit të Artë” çdo vit, ka përzgjedhur kapitenin e përfaqësueses shqiptare mes atyre që spikatën në pjesën e dytë të eliminatoreve të Euro 2020. Revista e njohur franceze ka vendosur Hysajn në krahun e djathtë të prapavijës të një rreshtimi 4-1-4-1, duke shpjeguar se e meritonte përtej faktit që kishte shënuar atë që është goli i tij i parë me fanellën kuqezi. “Në krahun e djathë, ne do të vendosim Elseid Hysajn, për aksionin e golit të tij të bukur ndaj Islandës dhe në përgjithësi për veprimet e tij në të dy fazat e lojës”, shpjegon “France Football” për vlerësimin e futbollistit të përfaqësueses kuqezi. Në formacion ka shumë emra të njohur duke filluar nga mbrojtësi Lengle i Francës, mesfushorët De Bryjn e Sanço, e për të vazhduar me Kristiano Ronaldon i cili ishte i pandalshëm në ndeshjen e fundit të përfaqësueses së tij duke shënuar 4 gola ndaj Lituanisë. Formacioni: Gomes (Andorra); Hysaj (Shqipëri), Lengle (Francë), Dragoviç (Austri), Halsterberg (Gjermani); Barella (Itali); De Bryjn (Belgjikë), Sanço (Angli), Mkhitarian (Armeni), Salanoviç (Lihtenshtejn); Ronaldo (Portugali). Klaus Gjasula ka qetësi dhe saktësi, basti i fituar i Rejës Trajneri Edi Reja i besoi këtë edicion të kualifikueseve mesfushorit kuqezi të Padërbonit, Klaus Gjasula, i cili luajti titullar në të dy takimet e Kombëtares kundër Francës dhe Islandës, duke bërë paraqitje vërtet të mira dhe që morën vlerësim të mirë edhe nga vetë trajneri Reja. Pra Gjasula është basti i fituar i Rejës, megjithëse lojtari është 29 vjeç. Ndaj nuk është aspak rastësi që e përditshmja gjermane “Kicker” i ka kushtuar vëmendje futbollistit shqiptar duke treguar pak nga rrugëtimi që ka bërë mesfushori të cilin shokët e skuadrës e quajnë “Spartaku” për helmetën që mban në kokë. E përditshmja gjermane tregon se debutimi i Gjasulës erdhi në një ndeshje të çuditshme ku u gabua himni kombëtar, atë ndaj Francës. Në artikull shkruhet se Gjasula tregoi karakterin e tij dhe lojën agresive ashtu si në kampionatin gjerman dhe ishte me fat që nuk njollosi me të kuq ndeshjen e parë. “Nëse mesfushori ishte me fat në barazimin 1-1 ndaj Volfsburg, pas një faulli të rëndë ndaj Gerhard në minutën e fundit dhe nuk pa kartonin e kuq, ai u shfaq 13 minuta pasi hyri në lojë ndaj Francës me një ndërhyrje ndaj Matuidi me këmbën e shtrirë, por mori përsëri “vetëm” të verdhë”, shkruhet nga e përditshmja gjermane, duke analizuar lojën agresive të futbollistit. Ajo thekson se prova e tij ishte bindëse ndaj ai ishte titullar dhe siguroi 90 minuta në “fitoren brilante 4-2 ndaj Islandës”. Tani në Gjermani presin që Gjasula të vazhdojë të jetë titullar me klubin e tij, ku tashmë do të sjellë me vete edhe eksperiencën e rëndësishme ndërkombëtare me fanellën kuqezi./ Adriatik BALLA 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here