Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka qenë kryefjala në takimet e çdo diplomati me aktorët politik në vend. Pas mbarimit të mandatit të ambasadores Susanne Schutz, në vendin tonë erdhi zëvendësuesi i saj, Petert Zingraf. Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Petert Zingraf deklaroi se synimi i Berlinit është t’i thotë ‘PO’ çeljes së negociatave me Shqipërinë. Gjatë një takimi me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, deklaroi se integrimi i Ballkanit Perëndimor ka një rëndësi strategjike, jo vetëm për Gjermaninë por edhe për Bashkimin Evropian. “Kancelarja Merkel ka deklaruar së fundi se Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria kanë rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Synimi i Gjermanisë është t’i thotë PO çeljes së negociatave me Shqipërinë”, u shpreh ambasadori i Gjermanisë, Peteret Zingraf. Ndërsa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi se gjatë mandatit të Peteret Zingraf, marrëdhëniet midis të dy vendeve do të fuqizohen më tej. “Gjermania është lokomotiva ekonomike dhe politike e Evropës. Ne i jemi mirënjohës Bundestagut, qeverisë gjermane dhe personalisht kancelares Merkel për fokusin e tyre të veçantë ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjes së rrugëtimit tonë evropian. Shpresojmë që kjo mbështetje do të vazhdojë dhe se Bundestagu dhe Qeveria gjermane do tu thonë ‘PO’ çeljes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Evropian të tetorit”, u shpreh kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe ambasadori i Gjermanisë Peteret Zingraf biseduan edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe nxitjen e investimeve gjermane në industritë prodhuese në Shqipëri. Me nisjen e mandatit në Shqipëri, ambasadori i Gjermanisë Peteret Zingraf ka zhvilluar një sërë takimesh, ku në fokus ka pasur forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe integrimin e vendit drejt familjes europiane, vendim i cili do të jepet në muajin tetor.