Papa tha se ish-vendi kolonialist Britania, duhet të respektojë gjykimin e OKB dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në këtë mënyrë t`ia dorëzojë ishujt Mauritius.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në avion pas përfundimit të turneut të tij në tri shtete të Afrikës, përfshirë edhe Mauritiusin, papa tha se ish-vendi kolonialist, Britania, duhet të respektojë gjykimin e OKB dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në këtë mënyrë t’ia dorëzojë ishujt Mauritiusit.
“Ajo që është e drejtë për tërë njerëzimin mund të mos jetë e drejtë për xhepat tanë, por ne jemi të detyruar t’i respektojmë vendimet e organizatave ndërkombëtare”, u shpreh Papa Françesku.
Arkipelagu Chagos
Përmes një rezolute të miratuar në fillim të këtij viti me shumicë, Asambleja e Përgjithshme e OKB kërkoi nga Britania, e cila mban nën kontroll Arkipelagun Chagos që nga pavarësimi i Mauritiusit më 1968, t’i japë fund “administrimit kolonial” dhe t’ia dorëzojë rajonin Mauritius.
Votimi në Asamblenë e Përgjithshme ishte zhvilluar pasi më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalosi opinionin se Britania në mënyrë ilegale ka shkëputur Arkipelagun Chagos nga Mauritius gjatë procesit të pavarësisë.
Ndërkaq, Britania i cilëson ishujt Chagos si “Territor i Britanisë në Oqeanin Indian” dhe pohon se rajoni asnjëherë nuk i ka përkitur Mauritius, ndërsa është shprehur se nuk do të respektojë vendimet jodetyruese të OKB, duke shfaqur si pretekst edhe rëndësinë strategjike të arkipelagut.
I zbuluar për herë të parë në Mesjetë nga detarët arabë, në Mauritius dhe arkipelagët përreth porti dhe bazat e para u themeluan nga portugezët në shekullin 16. Mauritiusi ishte koloni e holandezëve në shekullin 17, e francezëve në shekullin 18 dhe e Britanisë në shekujt 19 dhe 20, ndërsa pavarësinë e fitoi në vitin 1968. Megjithatë, Britania tri vite para kësaj kishte shkëputur Aerkipelagun Chagos dhe ende vazhdon ta mbajë nën kontrollin e saj.