Maks Haxhia: Procesi ndaj Tahirit i paramenduar, nëse ish-ministri dënohet, iu drejtohemi gjykatave më të larta

0
331

Avokati mbrojtës i ish-ministrit Saimir Tahiri, Maks Haxhia hodhi akuza dje ndaj prokurorisë se ka montuar procesin kundër klientit të tij. Në një prononcim mediatik, Haxhia deklaroi se pretenca ishte e paramenduar sepse ai e dinte që para 8 muajsh që prokuroria do të kërkonte 12 vjet burg. Sipas tij, ata që e provojnë pafajësinë e Tahirit janë materialet e prokurorisë italiane. “Mbrojtja e Saimir Tahirit ishte brilante dhe ishte individuale, e ka shkruar vetë ai pjesën e tij. Gjej rastin të vlerësoj gjithë përkushtimin që ai ka bërë në njohjen e procesit dhe sjelljen e provave të reja që e vënë në mungesë totale prokurorinë përballë provave. E kam dëgjuar para 7-8 muajsh që do kërkojë prokuroria 12 vjet. Ky është një proces i paramenduar dhe paravlerësuar. Unë nxjerr konkluzionin nga mënyra e sjelljes. Materialet e Italisë janë gjykuar në Itali, janë organe të specializuara, jo të korruptuara. Duke qenë e gjykuar, gjykata shqiptare gjithë materialet e Italisë duhej t’i kishte hequr. Prokuroria ka sjellë gjithë materialet e Italisë që ato janë gjykuar, dhe autoritetet italiane kanë vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të Tahirit. Edhe kur iu drejtua Parlamentit tha që bazë kemi vetëm materialet italiane, por Italia e pushoi çështjen ndërsa në Shqipëri e lidhën me 2 oficerët e policisë për ta vënë zotin Tahiri para përgjegjësisë penale”, tha Maks Haxhia. I pyetur se cili do të jetë hapi i radhës që do të ndërmarrë pala e akuzuar nëse Saimir Tahiri dënohet në datën 19 shtator, avokati theksoi se do t’i drejtohen gjykatave më të larta për të ankimuar vendimin. “Atë pyetje e kemi bërë gjatë gjithë fjalës dhe gjatë gjithë procesit në hetim e gjykim, që cilat janë episodet dhe cila është lidhja e veprimeve të Tahirit, cila është ndihma që ka dhënë ish-ministri. Nëse dënohet do t’i drejtohemi gjykatave më të larta”, deklaroi avokati. Prova më e fortë që sipas tij, Tahiri paraqiti para togave të zeza, ishte një e-mail që Gjergji Kohila, zyrtar policie në Vlorë, i kishte dërguar në vitin 2016, prokurorit Dritan Prençi, pikërisht një nga prokurorët që sot kërkuan 12 vite burg për ish-ministrin, ku i raportonte për Moisi Habilajn dhe referimet që duheshin bërë për dyshimet për trafik droge.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here