Shkarkimi i presidentit, eliminohen pengesat për Kushtetuesen, zbardhen vendimet e Administratives për kandidatët e eliminuar nga KED

0
327

Çështja e shkarkimit të presidentit Ilir Meta pritet të marrë fund shumë shpejt. Mazhoranca është shprehur e vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për ta larguar Metën nga karrigia e presidentit, por është Gjykata Kushtetuese ajo që e vulos në fund vendimin. Kjo gjykatë momentalisht nuk është funksionale, por të gjitha pengesat për ringritjen e saj po eliminohen dita-ditës. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e bllokoi këtë proces dhe nuk i dorëzoi brenda gushtit listat me emrat e kandidatëve në Presidencë dhe në Kuvend pasi një pjesë e kandidatëve të përjashtuar nga gara i ishin drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit për të ankimuar vendimin. KED vendosi të priste se çfarë do të vendoste Administrativja për të vijuar më tej me procedurat. Gjykata Administrative nuk ka humbur kohë dhe i ka marrë në shqyrtim me përparësi kërkesat e shtatë kandidatëve për t’u rikthyer në garë dhe së fundmi janë zbardhur edhe vendimet e plota. Vetëm për një prej tyre, Zhaklina Peton, Gjykata Administrative ka rrëzuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ndërsa për gjashtë të tjerët, Kristaq Traja, Vasil Bendo, Rexhep Bekteshi, Petrit Kaja, Dedë Kasneci dhe Sinan Tafaj, Administrativja ka lënë në fuqi vendimin e KED. “Gjykata Administrative e Apelit vendosi rrëzimin e padisë si të pambështetur në prova dhe në ligj. Ky vendim është përfundimtar dhe i formës së prerë”, thuhet thuajse në të gjitha vendimet e gjykatës. Vendimet e zbardhura janë një hap shumë i rëndësishëm që ndihmojnë në ringritjen sa më të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese. Këto vendime janë në duart e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe tani për punë ditësh KED pritet të hartojë listat përfundimtare me kandidatët për t’i dorëzuar në Presidencë dhe tek Kuvendi.

KED mblidhet nesër

E vetmja pengesë e KED është vendimmarrja përfundimtare për Zhaklina Peton. Për të po bëhet edhe një herë rivlerësimi i pasurisë dhe së shpejti KED do të marrë vendim nëse do të vijojë garën apo jo. Nesër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet për të vendosur pikërisht për këtë çështje. “Në zbatim të nenit 232 dhe 233 të ligjit nr. 115/2016, si edhe të pikës 34 të vendimit nr. 4 datë 11.03.2019 “Për procedurën e verifikimit të kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 09.09.2019, ora 14.00, thirret mbledhja e KED, me këtë rend dite: Diskutimi dhe vendimmarrja në lidhje me rishikimin e vendimit nr. 116 datë 09.08.2019 “Për pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave dhe njoftimin e subjektit që e ka vënë në lëvizje, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, të shpallur me Dekretin nr. 10723 datë 07.02.2018 nga Presidenti i Republikës. Diskutimi dhe vendimmarrja lidhur me vijimin e procedurës së verifikimit të kandidates Zhaklina Peto për dy kandidimet e saj për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e KED. Kjo do të thotë se po eliminohen të gjitha pengesat për ringritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe brenda shtatorit ose në fillim tetori Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të dorëzojë në Presidencë dhe në Kuvend listat përfundimtare. Më pas pritet që këto dy organe të bëjnë përzgjedhjen e emrave për t’i hapur rrugë më pas ringritjes së Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit do të vendosë përfundimisht për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here