Reja monitoron kuqezinjtë me dron, braktis të besuarit e Panuçit, u kthehet skemave të De Biazit

0
314

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka nisur me furi stërvitjet e skuadrës kuqezi në kuadër të dy ndeshjeve të shtatorit për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 2020, në grupin H, ndaj Francës (7 shtator) dhe ndaj Islandës (më 10 shtator). Kemi të bëjmë me dy ndeshje vendimtare për ekipin tonë përfaqësues, prandaj dhe Reja po mobilizon dhe përgatit si duhet grupin për të marrë pikë, në mënyrë që të qëndrojë brenda objektivave të ekipit, pavarësisht se Shqipëria ka, praktikisht, pak shanse të shkojë në fazën finale të Euro-2020. Në lidhje me kuqezinjtë gjërat duhen parë në tri aspekte. Së pari monitorimi i stërvitjes nëpërmjet ajrit dhe për këtë Reja ka vënë në dispozicion dronin, këtë “agjent” të fshehtë që zbulon parametrat e lojtarëve në disa plane. Përveç kësaj, tekniku veteran italian ka braktisur grupin e besnikëve të Panuçit, të tillë si Grezda, Kaçe, Balliu e ndonjë tjetër, për t’ju kthyer lojtarëve që më parë kishin sukses me përfaqësuesen të tillë si Roshi, Lenjani e Mavraj. Së fundmi, Reja është parë duke ndjekur me vëmendje performancën e Shqipërisë në ndeshjet që ka zhvilluar ndaj Francës tri vjet më parë. Është fare e qartë që tekniku veteran italian po u kthehet skemave taktike të De Biazit, duke nisur nga konsolidimi i mbrojtjes, me një skuadër që di të mbrohet në mënyrë hermetike dhe kundërsulmon frikshëm për t’i hapur probleme çdo rivali të mundshëm, përfshi dhe Francën.

Monitorim me dron

Kombëtarja ndodhet në Durrës ku po përgatitet për ndeshjet ndaj Francës dhe Islandës. Të besuarit e Rejës, janë vënë nën urdhrat e tij të hënën, ku kanë kryer vetëm një seancë stërvitore pasi futbollistët vinin të lodhur nga ndeshjet me ekipet e tyre. Dje është shtuar doza e stërvitjes duke bërë dy seanca, paradite e pasdite. Në stërvitjen e paradites, Reja e ka ndarë skuadrën në disa grupe ku futbollistët e krahëve si Binaku, Lenjani, Roshi apo Hysaj kanë qenë nën kujdesin e Porrinit, ndërsa disa të tjerë nën kujdesin e Salihit. Një grup i tretë, është zhvendosur pas portave dhe ka krye stërvitje me përgatitësin atletik. E gjithë stërvitja, është regjistruar me dron dhe në fund, do t’i bëhet analiza nga trajneri italian, i cili metodën me dron duket se e ka në mënyrën e tij të të trajnuarit. Pasdite stërvitja kishte karakter kryesisht taktik dhe trajneri ndërhyrje me disa lëvizje të tij, duke i dhënë besim grupit që më parë përbënte bërthamën e skuadrës nën drejtimin e De Biazit. Eksperienca e ndihmon këtë kontigjent të jetë më cilësor se të rinjtë. Sidoqoftë, asgjë nuk është përfundimtare dhe trajneri po eksperimenton.

Kthim tek grupi dhe skemat e De Biazit

Trajneri Reja është duke ndjekur një filozofi të ngjashme me De Biazin, pasi ka kuptuar se vetëm ajo skemë taktike dhe mënyrë operimi të bën të suksesshëm me kontigjentin që ka përfaqësuesja e Shqipërisë. Lojtarë si Grezda, Balliu, Kaçe e ndonjë tjetër janë lënë jashtë. Ky ishte grupi i besuar i teknikut Kristian Panuçi. por Reja është në frymën e De Biazit dhe i është kthyer grupit që kishte ish-trajneri kuqezi. shenjën e parë e dha me rikthimin në përfaqësuese të Ermir Lenjanit, teksa i erdhi në ndihmë edhe rikuperimi i Odise Roshit. Tashmë është konsoliduar grupi i De Biazit, pasi, me përjashtim të Canës së tërhequr, pjesa tjetër janë ende disa veteranë që ishin në “Francë-2016, midis të cilëve spikasin Xhaka, Mavraj dhe Memushaj. Edhe Balaj është pjesë e këtij kontigjenti, si dhe kthimi i Sokol Cikalleshit. Edhe në mënyrën e lojës ka tentativa për të ngjallur lojën e disiplinuar difensive të Kombëtares, me një mbrojtje solide, ku në qendër pozicionohen Mavraj e Gjimshiti, koordinuar nga Veseli e Ismajli, por edhe një mesfushë shumë të balancuar, me Lenjanin e Roshin në krahë, futbollistë që marrin krahun dhe ndihmojnë ekipin në fazën ofensive, gjatë kundërsulmeve të shpejta me daljen e shumë forcave përpara. Tipike skemë e de Biazit, të cilat Reja po i shqyrton me kujdes për të dalë edhe vetë në ato rezultate që kishte ish-tekniku kuqezi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here