Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, do të mblidhet ditën e nesërme në orën 12:00. Duket se mazhoranca po lëviz me shpejtësi për shkarkimin e Presidentit, pasi më herët tha se do rrëzojë të gjitha dekretet e kthyera në Kuvend nga Meta.
Komision Hetimor për Metën ka në dorë përgjigjet e ardhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor dhe Qendra e Publikimeve Zyrtare. Këto përgjigje do të diskutohen gjatë mbledhjes.
Kuvendi ngriti Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës më 8 korrik, duke i lënë afat deri në 8 tetor të vlerësojë nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën. Komisioni drejtohet nga Ulsi Manja i cili është edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni ka 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita të cilët do të vendosin për shkeljet e Metës.