Skandali me “Veneto Banka”, ja si Sejko lejoi hedhjen në rrugë të punonjësve dhe dyshimet mbi përfshirjen në kontraktimin e Tranzit

0
414

Banka e Shqipërisë vijon të qëndrojë e pashqetësuar sa i takon skandalit me falimentimin e “Veneto Banka”. Gazeta prej muajsh ka treguar me fakte batërdinë që është bërë në prapaskenë dhe personi që ka pasur për detyrë mbarëvajtjen ligjit, nuk ka marrë asnjë masë. Gent Sejko ka lejuar që të bëhet masakër me kreditë e këqija. Por sot gazeta do të tregojë se si Sejko la në rrugë dhe punonjësit e “Veneto Banka”. Kjo fundit kishte rreth 150 punonjës në filialet e saj në vendin tonë, por pas falimentimit, pjesa më e madhe u shkarkuan. Kujtojmë se kjo bankë italiane në Shqipëri është blerë nga ana e “Intesa Sanpaolo Bank”, në vlerën e vetëm 1 euro, por kujdes sepse Qeveria Italiane ka derdhur në arkat e “Intesa Sanpaolo Bank” miliarda euro. Para të cilat po kjo bankë, do të duhet t’i përdorte për të likuiduar klientët e kredive të këqija, por gjithashtu edhe punonjësit e bankave të Grupit “Veneto Banka” dhe Bankës Popolare di Vicenza, të cilët do t’i largonte nga puna. Ndërkohë bëjmë të ditur se nga burime brenda stafit të Veneto Banka, 70 punonjësit e saj, janë lajmëruar vetëm me anë të një njoftimi me e-mail për pushim e tyre nga puna. Po sipas punonjësve të “Veneto Banka”, “Intesa Sanpaolo Bank” në Shqipëri ka aplikuar ligjin shqiptar për pushimin nga puna që çuditërisht favorizon punëdhënësin dhe jo punëmarrësin, kur bëhet fjalë për ndryshimin e pronësisë. Po sipas tyre, ky është një ligj që nuk vlen aspak në raste të tilla, sepse banka është blerë në Itali me vlerën 1 euro, me anë të një pakete shpëtimi të iniciuar nga ish-Qeveria Italiane e Gentilionit, e miratuar nga Senati dhe Parlamenti Italian me votat e deputetëve italianë e dekretuar edhe nga Presidenti i Italisë Mattarella”. Por nëse në Itali, vend ku ka shumë banka dhe çdo gjë që ka të bëjë me aktivitetin bankar të tyre, ku në risk janë aksionerët apo klientët e bankave, deri edhe tek punonjësit e tyre, çdo gjë kalon për aprovim në Parlament dhe Senat, në Qeveri dhe tek Presidenti, në Shqipëri, Banka e Shqipërisë këto raste çuditërisht i trajton si “operacione bashkimi bankash”, njësoj si të ishte ndryshimi i pronësisë së një dyqani.

Loja me Tranzit

Gazeta një ditë më parë tregoi se përse “SGA” kontraktoi “Tranzit” për të mbledhur kreditë e këqija. Por duket se në këtë mes ka marrë bekimin e Gent Sejkos. Në kontratë thuhet qartë nga SGA se duke qenë se nuk ka degë të saj në Shqipëri, nga ana e Bankës së Shqipërisë i është thënë se duhet të kontraktojë një kompani shqiptare që merret me këtë çështje. Pikërisht u shkua te “Tranzit”. Dyshimet janë se këtu është i implikuar Sejko, pasi duket qartë se “ABI Bank” dhe “Intesa Sanapolo” ranë dakord mbi atë që do merrnin nga falimenti i “Veneto Banka”. “Intesa” mori aset dhe kreditë e këqija, ndërsa drejtuesi i “ABI Bank”, përmes “Tranzit” mori kreditë e këqija. Fakti që BSH ka hyrë në mes dhe i ka sugjeruar kompanisë italiane “SGA” që të kontraktojë një kompani shqiptare tregon shumë. Vetë Sejko kur miratoi kalimin e “Veneto” te “Intesa”, ka deklaruar se gjithë procesi duhet të mbikëqyret nga BSH. Por edhe nëse është mbikëqyrur, nuk është marrë asnjë masë. Ka pasur pafund skandale dhe Banka e Shqipërisë ka heshtur.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here