Zbardhen faktet se përse kreditë e këqija të “Veneto Banka” po administrohen nga “Tranzit”. Gazeta ka treguar më herët se kur u bë falimentimi i bankës italiane, kreditë e saj të këqija u morën nga kompania italiane “SGA”. Por duke qenë se kjo e fundit nuk ka degë në Shqipëri, kontraktoi “Tranzit”. Por pse këtë kompani? “Tranzit”, për më tepër figuron si kompani offshore e regjistruar në ishujt Kajman. Por duket se historia është akoma dhe më e thellë. Asetet e “Veneto Banka” u blen për 1 euro nga “Intesa Sanapolo Bank”, por sipas të dhënave të gazetës, në garë ka qenë dhe “ABI Bank”. Burime nga ish-stafi i punonjësve të “Veneto Banka”, për interesimin e kësaj banke, tratativat me likuidatorët Shtetërorë Italianë të LCA spa, për blerjen e bankës nga Andi Ballta, na bëjnë akoma më të qartë atë që po ndodh sot me situatën e kësaj banke. Ka shumë e-maile që shkëmbehen mes Departamenteve të “Veneto Banka” ku bëhet i ditur interesimi i “ABI Bank”, madje të dërguara edhe nga vetë ish-Drejtori i Përgjithshëm i bankës, Pierluigi Caferri. Një prej tyre është edhe ai i krijimit të Këshillit të Punëmarrësve, direkt pasi në mjedisin e “Veneto Banka” u qarkullua lajmi që Likuidatorët Shtetërorë të Falimentit, LCA spa ishin në tratativa me “ABI Bank” për blerjen e bankës nga Andi Ballta. Zoti Ballta është kreu i “ABI Bank” dhe i “Tranzit”, kompanisë që po merret me kreditë e këqija. Pra duket se është gjetur një e mesme e përbashkët mes “ABI Bank”, “Intesa Sanapolo” dhe “Veneto Banka”. “Intesa” mori kreditë e mira dhe asetet, ndërsa “Tranzit” mori kreditë e këqija. Pra duket se kemi një lloj pazari në prapavijë. Por nëse kjo është e vërtetë, duhet të mbajë përgjegjësi Gent Sejko, pasi ai duhet të kishte ndjekur të gjithë procedurën e falimentimit. Por duket se “BSH” është e përfshirë, pasi në argumentet që jep “SGA”, theksohet se ka qenë Banka e Shqipërisë ajo që ka sugjeruar kontraktimin e një kompanie shqiptare.
Fitimet
Pra, kuptojmë që të gjithë aktorët kryesorë të kësaj “vaterlo-je” financiare janë bashkë, ndajnë interesa të përbashkëta. Nga njëra anë “Intesa Sanpaolo Bank”, e cila pasi pushoi pothuajse të gjithë stafin e punonjësve që kishin dijeni mbi kreditë, arkëtoi plot 50 milionë euro cash “rimbursim kredish” nga qeveria italiane, asetet dhe gjithçka të mirë materiale tjetër të kësaj banke. Për të vazhduar me “ABI Bank”, një pretendente kryesore për të blerë “Veneto Banka’, e cila edhe pse nuk e bleu bankën, duket se i qëlloi akoma më fitimprurës duke u marrë me kreditë e këqija. Pikërisht atë që sot është më me interes dhe që kërkojnë të kenë treg të gjithë ato shoqëri agresive, duke qenë të interesuar në asetet imobiliare me probleme në Shqipëri dhe në rajon. Pra, nga kompanitë off-shore të mbledhjes së borxheve të këqija tek aksionerët rusë, çdo ditë e më shumë po bëhet e qartë arsyeja pse u kërkua likuidimi i shpejtë i “Veneto Banka”. Të gjitha rrugët duket se të çojnë tek Banka e Shqipërisë, institucioni që di gjithçka dhe që jep përgjigje evazive ndaj pyetjeve të klientëve, ose më saktë hesht. Faktet tregojnë se kjo gjellë është gatur prej vitesh dhe janë ndarë përfitimet nga secila palë. Por duket se në këtë mes përfiton dhe BSH, pasi asaj i shkonin provigjionimet. Ndërkohë, mbetet të shihet se çfarë do të thotë prokuroria, e cila po heton për këtë çështje.
Kliti Topalli