Regjisorët që do të paraqesin propozimet e tyre për sezonin artistik 2019-2020 në Teatrin Kombëtar duhet të kenë jo vetëm materialet mbi veprën artistike, por dhe një përllogaritje të përafërt mbi buxhetin. Me afrimin e sezonit artistik Teatri Kombëtar ka shpallur dhe njoftimin për regjisorët që duan të jenë në skenë me veprat e tyre, por më parë ata do ti nënshtrohen një selektimi. Njoftimi i bërë më datën 27 gusht bën me dije se deri më 15 shtator regjisorët mund të paraqesin propozimet e tyre pranë sekretarisë së Teatrit Kombëtar. Sipas Teatrit Kombëtar projekt propozimet, që do të paraqiten duhet të jenë të shoqëruara me tekstin, sinopsin e veprës teatrore, rolet për aktorët, CV e regjisorit etj. “Propozimet e tyre duhet të jenë të shoqëruara me: 1- Tekstin origjinal ose të përshtatur të veprës artistike. Teksti duhet të jetë i printuar (një kopje) ose të dërgohet në versionin elektronik në adresën zyrtare: info@teatrikombetar.gov.al; 2- Sinopsin e veprës artistike, shoqëruar me një koncept-ide mbi imazhin regjisorial (jo më tepër se 2 deri në 3 faqe A4); 3- Një përfytyrim paraprak mbi shpërndarjen e roleve të veprës artistike; 4- CV e regjisorit; 5- Një përllogaritje të përafërt mbi buxhetin e veprës artistike (shpenzime skenografie, shpenzime kostumografie, elementë të tjerë të domosdoshëm)”, bën me dije Teatri Kombëtar. Pas njoftimit të Teatrit Kombëtar ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se shpreson që në skenë të shihen vepra, që tronditin. “Sezoni i ri artistik po afron. Shpresojmë që të shohim në skenën e Teatrit Kombëtar, më shumë vepra, që të na tronditin së brendshmi, të na bëjnë të reflektojmë, po pse jo edhe të argëtohemi. Është koha që regjisorë të rinj e të vjetër, shqiptarë e të huaj të nxjerrin projektet nga sirtarët”, shkruan Margariti, ndërsa ministria ka publikuar dhe njoftimin e Teatrit Kombëtar për sezonin artistik 2019-2020. Për jetën artistike jo pak herë artistë të ndryshëm janë shprehur se në skenën e TK kanë munguar veprat e autorëve shqiptarë. Tashmë me njoftimin e teatrit për sezonin ri pritet të shihte nëse do të ketë apo jo miratime veprash shqiptare për të qenë në skenë.
Detajet financiare
Ndërsa afati për propozimet veprave artistike është deri më datë 15 shtator 2019, Teatri Kombëtar sqaron se selektimi i veprave artistike për sezonin 2019-2020 do të kalojë në dy faza. Por kusht i vënë nga Teatri Kombëtar është zbërthimi me të gjitha detajet financiare. Teatri shprehet se kjo është një domosdoshmëri për menaxhimin e veprës artistike, por dhe e kërkuar nga Ministria e Kulturës. “Faza e parë është shqyrtimi dhe aprovimi i projekteve sipas thirrjes së mësipërme nga Bordi Artistik. Faza e dytë është miratimi i projekt-buxheteve të detajuara të shfaqjeve të aprovuara. Në rast se projekti artistik i aprovuar nuk do të jetë i zbërthyer deri në imtësi me të gjitha detajet financiare, që i përkasin ndërtimit të një vepre artistike, atëherë ky projekt do të skualifikohet. Kjo është një domosdoshmëri për menaxhimin sa më të mirë të veprës artistike dhe e kërkuar specifikisht nga Ministria e Kulturës”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar, që jetën artistike e zhvillon me shfaqjet te skenat e “arTurbinës”. Premiera e fundit që erdhi në skenë si produksion i Teatrit Kombëtar ishte ajo me titull “Engjëjt e Amerikës”. Vepra e autorit të njohur Anthony Kushner erdhi premierë në skenë me regji nga Arben Kumbaro. Në rolet e veprës ishin aktorët Genti Deçka, Helidon Fiono, Luzia Xhuvani, LaertVasili, Donald DShehu, Indrit Çobani, Ina Gjonçi, Luli Bitri dhe Vasjan Lami.
Nga Julia Vrapi


































