Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi çdo vendim shkarkimi të dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Një rast i tillë është edhe ai i ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari. Me vendim të KPK ai u shkarkua, por iu drejtua KPA për të kërkuar rikthimin në detyrë. Kjo kërkesë e tij nuk u pranua nga trupa e KPA, e cila ka renditur edhe arsyet se pse duhet të lihet në fuqi vendimi i dhënë nga KPK për përjashtimin për 15 vite nga sistemi i drejtësisë. Sipas vendimit të KPA, Gani Dizdari ka probleme me pasurinë. Ai ka deklaruar 15 mijë euro të shpenzuara për kurim në Gjermani, por i janë gjetur probleme me deklaratat. “Në përgjigjet e pyetësorit të Komisionit, i cili mban datën 04.07.2018, me nr. 5053 prot., rezulton se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar që shpenzimet për kurim në Gjermani, kanë qenë në vlerën 15.000 euro. Për sa më sipër, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka bërë dy deklarime të ndryshme për këto shpenzime dhe për pasojë, gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm, lidhur me burimet e ligjshme të të ardhurave për krijimin e kësaj depozite. Është i provuar pretendimi i subjektit të rivlerësimit për faktin se si është krijuar depozita në vlerën 5.272 euro, por në asnjë rast, nuk mund të themi që kjo depozitë ka burim të ligjshëm, pasi jemi përpara faktit që subjekti ka deklaruar dy vlera të ndryshme shpenzimesh, për kurim në Gjermani”, thuhet në vendimin përfundimtar të KPA. Një tjetër shkelje që fundosi ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese ishin kontaktet e këtij të fundit me krimin e organizuar. “Për kriterin e kontrollit të figurës, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me shtetasin A. L, person i përfshirë në krimin e organizuar, dhe që bën të pamundur vazhdimin e detyrës për subjektin e rivlerësimit, Gani Dizdari. Për këto arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, mbështetur në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 37, datë 16.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, përfundon vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.