Kështjella e Stelushit edhe pse monument kulture nuk ka pasur vëmendje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në vend. Studiuesi Behar Gjoka shprehet se e ka vizituar për herë të parë më 1986 ku dalloheshin muret rrethuese dhe bedenat, por edhe pse e shpallur monument kulture nga institucionet nuk është vënë dorë për konservimin e saj. “Sapo vura këmbën në krye, u dëshpërova pa masë, nuk ishte më muri dhe bedenat. Për herë të parë këtë kështjellë e kam vizituar në vitin 1986, dhe dalloheshin muret rrethues dhe bedenat. Koha dhe erozioni gërryen muret dhe historinë. Megjithëse është shpallur monument kulture, nuk është vënë dorë për ta ruajtur dhe konservuar këtë vlerë historike dhe arkitekturore, të një kështjelle, që ka veçanësinë e ndërtimit jashtë, të qytetit të Varoshit, të rrënuar plotësisht, si dhe të pjesës nëntokësore, që duket nga ana e lumit. Historia flet, gurët dhe muret heshtin, deri kur ne shqiptarët dhe institucionet e kulturës dhe të arkeologjisë do të presin!?”, shkruan studiuesi Gjoka. Referuar të dhënave në dokumentet turke kjo kala quhej Istulush ose Stelush kurse banorët vendas përreth kalasë e quajnë Varosh, ndërsa shkëmbin ku ka qenë e ndërtuar kalaja e quajnë Kalaja e Skënderbeut ose dhe kalaja e Varoshit. Kjo kala dhe objektet përreth përbëjnë një qytet të lashtë dhe, janë kryer punime studimore nga një ekspedite arkeologjike e udhëhequr nga arkeologu i shquar Skënder Anamali, i cili ka bërë dhe publikimin e këtyre studimeve. Vërtetohet se nga gjysma e parë e mijëvjeçarit të fundit para erës së re, këtu ka pasur një vendbanim të lashtë ilir. Ekzistenca e qytetit që sipas gojëdhënave ishte mjaft i madh, tregon për lashtësinë e kalasë dhe tërë vendbanimit të fortifikuar. Qyteti i Varoshit në bazë të gojëdhënave, toponimeve dhe terrenit, shtrihej që nga Pylla e Zezë e deri në fushën e Bunarit. Në anën lindore të këtij qyteti kishte pazarin dhe shumë vendbanime apo punishte për të cilat flasin toponimet e sotshme. Ndërsa nga ana e Qafë Murrës ishte kisha e Limoces jo fort larg qytetit të Varoshit. Kjo kala luante një rol të rëndësishëm për mbrojtjen jo vetëm të luginës së Matit, por të krejt territorit Mat-Tiranë-Krujë për të dalë në bregdet në Durrës. Pra ishte një fortifikatë strategjike për të ndaluar vërshimet e ushtrive pushtuese, që vinin nga ana e lindjes. Këtë funksion kjo kala e kreu më së miri gjatë shumë periudhave, por në veçanti gjatë kohës së Kastriotëve.