ISP: Debatet Qeveri-Presidencë treguan se elita politike është kundër reformës në drejtësi dhe ka frikë prej saj

0
316

Instituti i Studimeve Politike i sheh debatet mes Qeverisë dhe Presidencës si një tregues që politika nuk e do reformën në drejtësi. Në një raport të publikuar së fundmi rreth ecurisë së reformës në drejtësi thuhet se politikanët janë të trembur nga kjo reformë. “Disa debate publike, sidomos midis Presidentit, Qeverisë, eksponentëve të opozitës dhe drejtuesve të institucioneve të reja të drejtësisë, krijuan vazhdimisht përshtypjen se në rastin më të keq e gjithë elita politike është kundër reformës dhe në rastin më të mirë të gjithë kanë frikë prej saj”, thuhet në raport. Sipas ISP, nga radhët e politikës, veçanërisht të mazhorancës ka individë të cilët e përdorin reformën në drejtësi për të bërë presion ndaj kundërshtarëve politikë. Ka pasur e ka zyrtarë politikë, sidomos ata që kanë pushtet në mazhorancë, të cilët reformën në drejtësi e kanë parë si instrument presioni e shantazhi ndaj rivalëve politikë në opozitë, pa qenë të ndërgjegjshëm se një reformë reale në të ardhmen do t’i vendosë edhe ata vetë përpara llogaridhënies”, theksohet në raport. Nga ana tjetër, aty përmenden edhe zhvillimet politike, protestat dhe debatet e shumta, të cilat sipas ISP, hoqën vëmendjen nga reforma në drejtësi. “Zhvillimet konfliktuale politike të vitit 2019, sidomos protestat dhe vendimi i opozitës për dorëzimin e mandateve dhe pas bojkotit të saj, vendimi i mazhorancës për të zhvilluar zgjedhje lokale pa parti të tjera konkurruese, – pjesën më të madhe të vitit zhvendosën vëmendjen nga ecuria e reformës në drejtësi. Një numër skandalesh korruptive të zyrtarëve të lartë, përfshirë katër ish ministra dhe më shumë se 12 deputetë, disa kryetarë bashkie dhe zyrtarë të tjerë të lartë, – të gjithë të pagjykuar dhe të padënuar nga drejtësia në tranzicion, – ndikuan në krijimin e një hendeku midis pritshmërisë së madhe publike të reformës në drejtësi dhe rezultateve reale të sistemit aktual të drejtësisë”, thuhet në raportin e Institutit të Studimeve Politike. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here