Një breshëri plumbash u derdhën mbi Santjago Malkon mbrëmjen e së martës duke e lënë atë të vrarë në vend. Krimi i mirëplanifikuar nga vrasësit ka forcuar dyshimet e policisë se 26 vjeçari është ekzekutuar për hakmarrje. Siç tregon një burim jo-zyrtar besohet se i riu, ish-punonjësi i policisë së kryeqytetit, është përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit, një ngjarje që është zbatuar me të njejtin mekanizëm siç edhe u vra Malko.
Këto janë dyshimet paraprake të policisë bazuar në informacione dhe indicie, por që janë ende larg provave konkrete. Të vetmet prova, shpjegoi një tjetër pjesëtar i grupit të hetimit, janë gëzhojat e mbledhura, automjeti në të cilin u vra viktima, por edhe kamerat e sigurisë në një lavazho, si edhe makina e autorëve që u gjet e djegur në fshatin Ferraj.
Ish-efektivi po udhëtonte me makinë për t’u kthyer në shtëpinë e tij në Babrru, kur nga breshëria e automatikut mjeti ka devijuar nga rruga, ka goditur koshat e mbeturinave dhe ecja e makinës ka vazhduar për inerci derisa ka ndaluar kur edhe ka goditur portën hyrëse të një objekti privat.