Venecia merr vendimin, në tetor vendoset për shkarkimin e Ilir Metës, ja manovrat që do të përdorë mazhoranca për të fundosur presidentin

0
339

Fati i Ilir Metës, nëse do të vijojë apo jo në krye të Presidencës, do të vendoset shumë shpejt. Mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij që në qershor, ndërsa pas ngritjes së një komisioni hetimor, në fund të korrikut kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi iu drejtua me një letër Komisionit të Venecias. Në letër, Ruçi kishte ngritur disa pyetje, për të cilat kërkon përgjigje nga Venecia. Kjo e fundit ka vendosur që fjalën e fundit ta thotë në tetor. Në faqen e tij zyrtare në internet, Komisioni i Venecias ka bërë publike datat se kur do të mblidhet për të diskutuar për shkarkimin e Ilir Metës. Në datat 11 dhe 12 tetor anëtarët e përfaqësuesit të Komisionit të Venecias do të debatojnë në seancë plenare për çështjen e cila ka trazuar ujërat në politikën shqiptare. Pas diskutimeve, komisioni do të miratojë raportin përfundimtar, i cili do t’i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë, për të bërë të njohur opinionin e tyre nëse Meta meriton të shkarkohet apo jo. Interesant është fakti se Komisioni i Venecias ka vendosur ta marrë në shqyrtim këtë çështje në tetor dhe para zgjedhjeve që opozita pretendon të zhvillojë në datën 13. Ekspertët e Venecias mund të mblidheshin edhe në dhjetor në seancë plenare, por ata kanë zgjedhur tetorin për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë situatës. Nëse Venecia shprehej në dhjetor për Metën, atëherë në një farë mënyre ngelet në pikëpyetje nëse presidenti ka të drejtë apo jo të zhdekretojë datën e zgjedhjeve, megjithëse fjalën përfundimtare e thotë Gjykata Kushtetuese.

Manovrat e mazhorancës

Para se të mbahet seanca plenare, në datën 9 shtator një delegacion i Komisionit të Venecias do të mbërrijë në Tiranë për të zhvilluar takime për të njëjtën çështje. Gjatë këtyre takimeve ekspertët do të njihen nga afër me kauzën e mazhorancës për shkarkimin e Metës dhe do të bindet nëse ajo ka apo jo të drejtë. Sipas burimeve, mazhoranca do të përfitojë nga kjo vizitë për t’i kërkuar Komisionit të Venecias hartimin e një raporti të ndërmjetëm, pas përfundimit të vizitës zyrtare në kryeqytet. Ky raport do të tregojë pak a shumë edhe vendimin final që do të marrë Komisioni i Venecias në tetor. Raporti i ndërmjetëm pritet të vijë në Tiranë dy javë para mbajtjes së seancës plenare, pra nga fundi i shtatorit. Përmes këtij raporti mazhoranca merr mesazhin se çfarë pritet të vendosë Komisioni i Venecias. Një tjetër manovër që do të përdorë qeveria për të shkarkuar presidentin do të jetë dorëzimi i provave që ka mbledhur kundër Metës tek delegacioni i Komisionit të Venecias. Provat, mbi bazat e të cilave PS synon të shkarkojë presidentin, do t’iu vihen në dispozicion ekspertëve si për të faktuar shkeljet e Metës dhe për ta “shtyrë” Komisionin e Venecias të vendosë për shkarkimin e tij. Në rast se ky i fundit do të jetë vendimi zyrtar i Venecias, atëherë duhet theksuar fakti se në një farë mënyre diktohet edhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Kjo sepse Venecia bën një interpretim të ftohtë të fakteve dhe provave, siç e bën edhe gjykata dhe gjasat janë që përfundimi të jetë i njëjtë. Një tjetër manovër e mazhorancës për të fundosur presidentin është formulimi i pyetjeve për Komisionin e Venecias. Venecia nuk flet asnjëherë hapur, ashtu siç nuk e bëri as në rastin kur vendosi për vetingun në politikë. Përmes rreshtash Komisioni i Venecias përpiqet të përçojë mesazhin. Ndërkohë, në letrën e Ruçit për Venecian gjenden pyetje të atilla për të cilat jo gjithmonë mund të jepet një përgjigje e prerë. Pra, duket se mazhoranca ka zgjedhur t’i ndërtojë në këtë formë pyetjet me qëllim që të ketë vend për interpretim dhe të rrëzojë presidentin në fund.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here