Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon funksionimit të Fondit Besa. Prej ditësh ky fond është përfshirë nga skandalet, pasi një grup punonjësesh përfituan 3.7 milionë euro duke mashtruar me kreditë. Por gazeta ka vendosur të hedhë dritë mbi atë se kush është ky fond. Së pari duhet theksuar se Fondi Besa është një prodhim i Xhorxh Soros. Filantropi në fjalë është personi më i sulmuar sot në shumë vende të botës dhe fondacionet e tij janë të parat që kanë hyrë në Shqipëri. Në fillim të vitit 1999 George Soros krijoi Fondacionin Besa, i cili do të operonte si një entitet juridik, si organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Por mënyra se si Fondi Besa u licencua, është mjaft e dyshimtë. Nëse hapim Raportin Vjetor të Mbikëqyrjes të Bankës së Shqipërisë për vitin 2007, fondacioni Besa ka paraqitur kërkesën për tu licencuar si subjekt jobankë, por nuk e ka marrë atë, ndërkohë që sipas të dhënave nga vetë fondacioni Besa, ai ka kryer aktivitet kreditimi gjatë gjithë vitit 2007. Sipas raportit të fondacionit, rezultatet e vitit 2007 për Fondin Besa, shënuan një konsolidim dhe zgjerim të aktivitetit duke shënuar rreth 9,200 klientë aktivë në 2007 dhe një tepricë kredie prej gati 37 milionë dollarësh. Por duke operuar pa licencë, ky fondacion ka shkelur ligjin Nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për Bankat”, duke operuar në kundërshtim me nenet 6,54, 90 dhe 126. Sipas nenit 90 të ligjit 9662, “Ushtrimi i veprimtarisë bankare ose i çdo veprimtarie tjetër financiare, të parashikuar në nenet 4 dhe 54 të këtij ligji, pa licencë të lëshuar nga Banka e Shqipërisë, përbën krim dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Ndërkohë që sipas Kodit Penal të Shqipërisë neni 143/a mbi skemat mashtruese dhe piramidale, “organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes me qëllime fitimi material, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet burg. Po kjo vepër kur sjell pasoja të rënda dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet burg”. Ky institucion nga 1 qershori i vitit 2007 deri në datën 31 dhjetor të vitit 2008 ka ushtruar aktivitetin e tij në territorin e Shqipërisë i pa licencuar nga Banka e Shqipërisë, sipas ligjit nr. 9662 të miratuar nga Parlamenti Shqiptar.
Lëvizjet e Fullanit
Pra edhe pse Besa nuk ishte licencuar, ajo ushtronte aktivitet financiar. Por duket se në mes ka qenë i përfshirë ish-guvernatori Ardian Fullani, i cili ka përdorur disa manovra për të kthyer në ligjshmëri fondin në fjalë. Fillimisht Banka e Shqipërisë në atë kohë njoftoi se Fondi Besa ishte subjekt në pritje licencimi, ndërsa në datën 11 janar 2019, në listën e subjekteve financiare BSH ka shtuar dhe emrin e Besa sh.a, si një subjekt që ishte licencuar në dt. 26 dhjetor 2008. Sipas investigimit të gazetës, rezulton se mbledhja e fundit e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ka ndodhur në dt. 24 dhjetor 2008. Nuk ka pasur asnjë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës në dt. 26 dhjetor që i jep licencën nr. 10 Besa sh.a., dhe nuk ekzistonte asnjë vendim i këtij Këshilli për dhënien e kësaj licence. Por pavarësisht manovrave, fondi vijon të funksionojë edhe sot. Pasardhësi i Fullanit është Gent Sejko, i cili vijon të mbyllë sytë. Edhe pse Fondi Besa u përfshi nga skandali me mashtrimin e kredive BSH fle.
Kalimi i kapitaleve
Një tjetër skandal në këtë mes është ai me kalimin e kapitaleve nga Fondacioni Besa te Fondi Besa. Qeveria shqiptare, e përfaqësuar në atë kohë nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, ra dakord që të gjitha detyrimet dhe të drejtat që Fondacioni Besa kishte me qeverinë shqiptare të kalonin te Fondi Besa sh.a. Kjo njohje shtetërore e kalimit të detyrimeve të një fondacioni drejt një biznesi është një rast i paprecedent juridik dhe financiar në historinë e financave shqiptare. Pra nuk ka se si një fondacion të kalojë kapitalet dhe detyrimet te një biznes. Në ditë në vijim gazeta do tregojë më shumë detaje në këtë aspekt.
Kliti Topalli





































