Policia e Shtetit publikoi informacionin zyrtar në lidhje me shpërthimin e një pike karburanti në aksin Lezhë-Laç mbrëmjen e djeshme.
Organi i ruajtjes së rendit konfirmon se numri i të lënduarve nga zjarri është rritur nga 6 në 7 persona. Raportohet se 3 prej të plagosurve ndodheshin në një automjet të furnizimit me gaz në momentin kur shpërtheu bombola e gazit, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës së pikës së karburantit. Por, tashmë saktësohet se midis të plagosurve janë dhe dy vajza të mitura të moshave 5 dhe 2 vjeçe.
Ndërkohë, janë identifikuar të gjithë të plagosurit. Ata janë: Bardhok Bushati. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33 (të lënduarit që ndodheshin në makinë) dhe N.P., 40-vjeç dhe P.L.,31 vjeç (punonjës të karburantit).
Punëtori N.P. dhe Bardhok Bushati ndodhen në Spitalin e Traumës me djegie të shumta në trup, ndërsa 5 shtetasit e tjerë po kurohen në Spitalin e Lezhës.
Për sa i përket shkakut të shpërthimit të flakëve, Policia raporton se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një defekt teknik.
Njoftimi i policisë:
Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.
Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.
Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku Zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj.