Prefekti i Shkodrës letër Presidentit Meta, e njeh me dorëheqjen e Valdrin Pjetrit, ja detajet

0
329

Bashkia e Shkodrës vijon të mbetet në qendër të vëmendjes politike dhe jovetëm. Kështu, një javë pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Shkodrës, prefekti i Qarkut, Çesk Millja, ka informuar kreun e Shtetit, Ilir Meta përmes një shkrese zyrtare. Në letër, Millja vë në dijeni Metën për konstituimin e këshillit bashkiak dhe për mbledhjen e parë të tij që u zhvillua në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” me 19 gusht mes tensioneve të shumta, ku nuk munguan edhe përplasjet e protestuesve të opozitës me forcat e policisë. Nga ana tjetër, prefekti i qarkut të Shkodrës sqaron mes të tjerash Presidentin Ilir Meta për zgjedhjen e kryetares së këshillit dhe për vendin vakant të kryetarit, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pas publikimeve të dokumenteve nga Partia Demokratike, sipas të cilave rezultonte i dënuar për trafik droge në Itali. Ndërkohë, në letrën dërguar Metës, prefekti thotë se dorëheqja e Pjetrit është paraqitur në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak në Shkodër dhe zyrtarisht tregon se posti i kryetarit të Bashkisë Shkodër është vakant. Kujtojmë që, simpatizantët e degës së Partisë Demokratike në Shkodër dhe drejtuesit e kësaj force politike zhvilluan pak ditë më parë një protestë paqësore, pas lajmeve lidhur me të shkuarën e Valdrin Pjetrit, fituesit të zgjedhjeve të 30 qershorit në këtë bashki. Me pankarta në duar ku shkruhej “T’i kthejmë rinisë shpresën”, “Stop lidhjes Shtet-Banda” “Poshtë Komunizmit”, ata marshuan në rrugët e qytetit. Kjo protestë erdhi pasi Partia Demokratike publikoi disa dokumente, ku sipas tyre vërtetojnë që Valdrin Pjetri, ka qenë i dënuar me burg në vitin 2003 për drogë. Ndërkohë, pak ditë më parë Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për pengimin e zbatimit të ligjit “Antimafia”, duke mos lejuar verifikimin e pasurive së kandidatit të Partisë Socialiste të dalë nga zgjedhjet vendore monopartiake të 30 qershorit. Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata u shpreh nga selia blu se kreu i qeverisë po ndjek një “skenar kriminal për të uzurpuar Bashkinë e Shkodrës”, ku krahas moszbatimit të ligjit “Antimafia”, po pengon Pjetrin të japë dorëheqjen dhe njëkohësisht po ndalon prokurorinë të konfirmojë gjetjet e dokumenteve të PD, që dëshmonin arrestimin, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimin nga Italia të Pjetrit, të dhëna të verifikuara në mënyrë të pavarur nga “Zëri i Amerikës.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here