Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis kushtëzoi ditën e djeshme hapjen e negociatave për Shqipërinë me respektimin e të drejtave të minoritetit grek në vendin tonë. Në të njëjtën ditë kur Presidenti i Republikës respektoi grekët duke dekoruar të dërguarën e tyre në Tiranë me një titull të lartë, Greqia ia ktheu “reston” duke i vënë kushte për çeljen e negociatave. Mitsotakis i dërgoi ditën e djeshme një letër me mesazhe politike dhe falënderime Kryesisë së Organizatës së Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, Omonia. Në letër, kryeministri i Greqisë bëri të qartë edhe kushtin për Shqipërinë që vendi ynë të marrë votën pro të shtetit fqinj për çeljen e negociatave. Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek nga ana e qeverisë shqiptare është një kusht kyç për negociatat. “Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak dhe kriterin bazë për hapjen e negociatave të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet në letrën e Mitsotakis. Po ashtu, kryeministri grek i siguron minoritarët se qeveria dhe Demokracia e Re me vullnet politik të fuqishëm do të jetë pranë minoritetit në të gjitha aspektet, duke mbrojtur të gjitha të drejtat e tyre, përfshi të drejtat e pronës. Ndërkohë, kreu i qeverisë greke shton se do të zhvillohen e fuqizohen më tej marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, jo vetëm në aspektin e integrimit të vendit në BE, por dhe më gjerë, gjë që sipas tij, do favorizojë si minoritarët, ashtu edhe ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinjë. Njëkohësisht, në disa gazeta elektronike greke bëhet fjalë për një zëvendësim së shpejti të ambasadores greke në Shqipëri, Eleni Sourani, me një diplomat gjithashtu njohës të thellë të marrëdhënieve bilaterale, psor më afër këndvështrimit të qeverisë aktuale.