Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kryeministri Rama iu dha urdhër të gjithë kryebashkiakëve të rinj ë të mos fillonin nga shkarkimet masive sikurse ndodh gjithmonë kur ndërrohen pushtet. Rama e vuri theksin sidomos tek punonjëset femra, nga të cilat nuk duhej të shkarkohej asnjë, vetëm në rastet kur kishte shkelje të rënda të ligjit.
Mirëpo pavarësisht urdhrit të Ramës, kryebashkiaku i Bashkisë së Selenicës është hedhur në aksion. Kryetari i sapo zgjedhur i kësaj bashkie, Pëllumb Binaj, që mori detyrën pak ditë më parë ka shkarkuar 66 punonjës.
Sipas informacionëve urdhri është firmosur sot dhe punëtorët e larguar janë të ndërmarrjeve publike, si pastrim e gjelbërim. Lidhur me këtë vendim të tij Binaj shprehet se kjo ndërprerje është bërë në bazë të urdhrit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sipas Binaj, në janar të këtij viti raporti i KLSH-së ka vërejtur 66 punonjës me kontratë të pjesshme, që paguheshin me vetëm 12 mijë lekë të rinj në muaj, në raport KLSH ka theksuar ndërprerjen e kontratës pasi nuk zbatohej ligji mbi Kodin e Punës.