Nuk justifikoi 2 apartamente dhe iu gjetën kontakte me krimin e organizuar, KPA rendit arsyet pse e la Thanzën jashtë sistemit të drejtësisë

0
371

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zbardhur vendimin për shkarkimin përfundimisht nga detyra të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Ai u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por pas ankimimit të bërë, u shkarkua edhe nga KPA. Në vendimin e zbardhur Kolegji i Apelimit ka renditur arsyet dhe faktet pse Thanza meriton të përjashtohet nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Sipas vendimit, ai nuk justifikon 2 apartamente. “Lidhur me pasurinë e trajtuar si pasuria nr. 1, apartament banimi 3 + 1, me sipërfaqe 136 m2, me vendndodhje në Shkodër, fituar me kontratën e shitblerjes datë 06.04.2000, regjistruar në ZRPP Shkodër me numër pasurie {***}, më datë 18.05.2000, subjekti i rivlerësimit është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij dhe nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë. Lidhur me pasurinë e trajtuar si pasuria nr. 2, apartament banimi, me sipërfaqe 113 m2, me vendndodhje në Tiranë, fituar me kontratën e shitblerjes datë 03.07.2003, regjistruar në ZRPP Tiranë, më datë 07.07.2003, subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare për të blerë këtë pasuri dhe është përpjekur ta paraqesë në mënyrë të pasaktë atë”, thuhet në vendimin e KPA. Nga ana tjetër, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi edhe konstatimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për integritetin e figurës, duke konkluduar në fund se Admir Thanza ka kontakte me krimin e organizuar. “Nga analiza ligjore e shkaqeve të ankimit, subjekti rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar dhe sepse ka bërë deklarim të pasaktë në lidhje me figurën, çka bën të pamundur vazhdimin e detyrës. Situatë faktike kjo që, në përputhje me parashikimet e nenit Dh, pikat 3 dhe 4 të Aneksit të Kushtetutës parashikohet të prezumohet në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit. Për rrjedhojë, problemet serioze gjatë kontrollit të figurës dhe deklarimi i pasaktë passjellin aplikimin e nenit 61, pikat 2 dhe 3 të ligjit nr. 84/2016, në të cilat parashikohet shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit”, citohet midis të tjerash në vendimin e KPA. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here