Humbën Superkupën, tifozët e Kukësit i përvishen trajnerit Duro, kërkojnë ndryshime në pankinë

0
345

Partizani e fitoi Superkupën e Shqipërisë dhe lumturoi veten, stafin teknik e drejtues dhe tifozët. Kukësi e humbi atë dhe për pasojë trishtoi grupin, stafin dhe tifozët. Pikërisht tifozët e Kukësit janë bërë protagonistë në rrjetet sociale, pasi, të inatosur që Superkupa shkoi pikërisht për rivalin që u mori dhe kampionatin, zbrazën mllefin e tyre në adresë të stafit teknik e konkretisht trajnerit Shpëtim Duro, duke kërkuar rikthimin e Ernest Gjokës në krye të grupit. Në fakt, është një mllef jo pa shkak, pasi Kukësi po udhëhiqte ndeshjen 2-1, por u barazua në fund e në kohën shtesë edhe u përmbys, duke bërë që trofeu i Superkupës të shkonte për skuadrën e “demave” dhe tifozerinë e tyre. Sa i takon ndeshjes, Kukësi u mund në finalen e Superkupës së Shqipërisë nga Partizani me rezultatin 4-2. Megjithëse në pjesën e dytë dominoi dhe goditi dy herë traversën, skuadra verilindore gaboi gjithçka në pjesën e parë të kohës shtesë duke pësuar dy gola në pak minuta, kur dukej se gjithçka po shkonte mirë për ta. Sakaq, kjo humbje ka irrituar tifozerinë verilindore që ka reaguar në mënyrë të ashpër në rrjetet sociale. Në faqen zyrtare në “Facebook”, tifozët e Kukësit ia kanë faturuar humbjen trajnerit Shpëtim Duro të cilit i kërkojnë të largohen sa nuk është vonë. Nuk kanë munguar edhe komentet që e lidhin trajnerin Duro me të shkuarën e tij, duke qenë se ka drejtuar edhe Partizanin vite më parë. Kukësi do të luajë në fundjavë sërish ndaj Partizanit, por këtë herë në kuadër të Kategorisë Superiore. Ndërkohë, teksa tifozët shprehin pakënaqësinë e tyre në rrjetet sociale, një futbollist me peshë i ekipit, Besar Musolli, ka qetësuar gjakrat dhe ka dhënë mendimin e tij rreth ndeshjes, duke thënë se disfata erdhi gjatë një pakujdesie të grupit, por edhe lodhjes në fundin e ndeshjes. Natyrisht, Musolli nuk dëshiron ta bëjë tragjike humbjen dhe disfatën në Superkupë, por ai beson se koha duhet t’i kushtohet tani e tutje sezonit të ri, ku pikërisht në fundjavë Partizani e Kukësi do të përballen sërish, këtë herë në kuadër të javës së parë të Kategorisë Superiore. Në fakt, duke iu kthyer ndeshjes dhe qëndrimit të Musollit, finalja e Superkupës e luajtur në “Elbasan Arena”, dhuroi spektakël ku u shënuan plot 6 gola dhe kishte përmbysje e emocione deri në fund. Partizani arriti të fitonte vetëm në minutat e fundit dhe në kohën shtesë, duke përmbysur rezultatin 1-2. Ndërkohë, në një prononcim për “RTSH Sport”, kapiteni i Kukësit, Besar Musolli u shpreh se skuadra e tij e kishte ndeshjen nën kontroll por një pakujdesi solli përmbysjen e rezultatit. Mes të tjerash, Musolli u ndal edhe te Kategoria Superiore dhe pretendentët për titull. “Luajtëm një ndeshje shumë të mirë dhe kishim gjithçka nën kontroll por një pakujdesi në solli këtu. Pësuam një gol në fund dhe ramë moralisht e ndodhi ajo që ndodhi. Rivalë për titull? Tirana ka bërë merkato të fuqishme dhe Teuta ka bërë merkato e mendoj se do të jetë mes katër skuadrave”, u shpreh Musolli. Theksojmë se Kukësi ka një kontigjent të mirë, i aftë të rivalizojë në kampionat për të dy trofetë, pra Kupën e Shqipërisë, si dhe kampionatin. Nën drejtimin e Safet Gjicit si president Kukësi ka bërë përparime të ndjeshme gjatë këtyre viteve, duke luajtur rregullisht në Europë dhe duke fituar kupa, por edhe një titull kampion, që nuk është pak për një skuadër që para këtyre viteve qëndronte në kategoritë inferiore të futbollit. Pra Kukësi ka potencial dhe me rregullimin e stadiumit të ri do të ketë më shumë mundësi për të pasur rezultate, pasi do të shfrytëzojë efektin pozitiv që jep fusha. Punimet kanë nisur, pasi ato i inauguroi pikërisht kryebashkiaku i ri i Kukësit, Safet Gjici, njëherësh dhe president i skuadrës kuksiane. Pavarësisht ndryshimeve të bëra në kontigjent në këtë merkato vere, ku pati mjaft afrime dhe largime, Kukësi mbetet, padyshim, një nga skuadrat pretendente për titull. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here