Rama paralajmëron tërmet në administratë, verifikim formularëve të dekriminalizimit për të gjithë zyrtarët, ligji drejt ndryshimit

0
350

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar tërmet në administratë dhe politikë. Gazeta tregoi një ditë më parë se ligji i dekriminalizimit ka prekur rreth 350 politikanë dhe zyrtarë të lartë, por ka shumë nga ata të cilët i kanë shpëtuar verifikimit. Rasti i Valdrin Pjetrit tregoi edhe njëherë se verifikimet që bëhen nga KQZ-ja apo institucionet e tjera janë shumë të cekëta. Shumë emra janë të dënuar jashtë vendit, por duke mos e deklaruar një gjë të tillë nuk janë penalizuar. Kështu ndodhi edhe me ish-gjyqtarin Admir Thanza, i cili ishte dënuar në Itali, por ushtronte pa problem detyrën si gjyqtar. Duke marrë shkas nga këto raste, kryeministri Edi Rama ka lajmëruar nëpërmjet postimeve në profilin e tij në Twitter se do të ketë ndryshime në ligj. Edi Rama ka paralajmëruar se çdo deklarim do verifikohet më thellësisht dhe nëse rezulton se ky deklarim nuk është i vërtetë, do përjashtohen dhe do të ndiqen penalisht për këtë. Nisur nga ngjarja e fundit që ka marrë vëmendjen e gjithë opinionit publik, pra nga rasti i Valdrin Pjetrit, kryeministri Rama ka deklaruar se verifikimi shtetëror do të nisë jo vetëm për kandidatët, por edhe politikanët, edhe punonjësit e shtetit. Sipas asaj çka ka deklaruar kreu i qeverisë, ligji aktual nuk i lejon partitë të verifikojnë të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. “Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”, ka shkruar kryeministri i vendit Edi Rama. Kryeministri ka theksuar se rasti i Valdrin Pjetrit do të shërbejë që ligji të shkojë drejt ndryshimit, me qëllim që të përcaktohen afatet e verifikimit shtetëror të kandidatëve. Në lidhje me rastin e Pjetrit, Rama është shprehur se fshehja e krimit është gabimi i tij, por jo krimi që ka bërë kur ishte 19 vjeç. “Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrsesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria”, ka shkruar kryeministri Rama.

Ndryshimet në ligj

Rasti i Valdrin Pjetrit ka shërbyer si një indicie për qeverinë e Ramës që të kërkojë ndryshime në ligj, duke futur afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje. “Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë”, ka lajmëruar Edi Rama ditën e djeshme. Por ky nuk është ndryshimi i vetëm që kreu i shtetit ka paralajmëruar. Duke e vënë theksin se veprimet individuale nuk mund të vënë në rrezik kolektivin, Rama tha se do të ndiqen penalisht të gjithë ata që japin deklarime të rreme. E gjithë nisma që kreu i shtetit ka marrë do të shërbejë që raste si i Valdrin Pjetrit mos të përsëriten më pasi kanë pasoja të mëdha siç është tani fati i Shkodrës. Kujtojmë se Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen pas sulmeve që PD-ja i ka bërë ku e ka akuzuar për një krim që ka bërë sipas tyre Pjetri. Pjetri deklaroi se ngjarja ka ndodhur kur ai ka qenë 20 vjeç dhe sipas tij, Partia Demokratike e ka shfrytëzuar duke e hequr nga konteksti. Ndërkohë Rama i ka dalë në mbrojtje Pjetrit, por nuk e ka toleruar faktin që Pjetri nuk e ka vetëdeklaruar këtë fakt./ Arbjona Çibuku

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here