Ligji i dekriminalizimit vijon të tregojë se në politikën dhe administratën shqiptare operojnë persona të dënuar apo hetuar për vepra të ndryshme penale. Rasti i Valdrin Pjetrit nuk është i vetmi, pasi bashkë me të janë rreth 350 politikanë dhe zyrtarë që janë prekur nga ligji. Sipas shifrave të siguruara nga gazeta, për shkak të dekriminalizimit kanë qenë në hetim 12 deputetë, ndërsa 6 janë larguar, dhe 3 kanë dhënë dorëheqjen. Disa nga ish deputetët e hetuar janë Aqif Rakipi, Dashamir Tahiri dhe Arben Ndoka. Një tjetër emër është edhe ai i ish deputetit Shkëlqim Selami dhe Mark Frrokut. Sipas statistikave, të prekur nga ligji i dekriminalizimit kanë qenë edhe kryebashkiakët, nga të cilët 1 është shkarkuar ndërsa 3 të tjerë janë nën hetim. Sipas të dhënave, ka pasur edhe zyrtarë drejtues të cilët janë larguar, ku në total janë 45 të tillë. Ndërsa zyrtarët e tjerë të larguar për shkak të ligjit të dekriminalizimit janë 110. Më pas, statistikat vijojnë me këshilltarët bashkiakë, nga të cilët 35 janë shkarkuar dhe 21 kanë dhënë dorëheqjen. Po ashtu, janë larguar edhe 18 kandidatë për deputetë. Sipas statistikave, të prekur nga ligji i dekriminalizimit janë edhe 5 gjyqtarë, të cilët kanë dhënë dorëheqjen. Të larguar ka pasur edhe nëpunës të administratës publike, numri i të cilëve arrin në 89.
Ligji i dekriminalizimit te kryebashkiakët
Të prekur nga ligji i dekriminalizimit janë edhe drejtuesit vendorë. Sipas të dhënave, deri më tani është shkarkuar vetëm një kryebashkiak nga ligji i dekriminalizimit, ndërsa 3 të tjerë janë nën hetim. Por përveç kryetarëve, të prekur janë edhe këshilltarët bashkiakë. Deri më tani janë shkarkuar 35 këshilltarë, ndërsa 21 të tjerë janë dorëhequr. Për fshehjen e të dhënave dhe falsifikimin e formularëve të dekriminalizimit është shkarkuar në detyra dhe më pas është dënuar nga gjykata ish kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, dënim i cili i është konvertuar në 60 ditë punë publike. Në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, numri më i lartë i zyrtarëve të larguar ka ndodhur në Bashkinë Tiranë, numri i të cilëve arrin në 10, duke u ndjekur më pas nga Bashkia Durrës me 7 dhe ajo e Shkodrës me 6 të larguar. Por edhe në Bashkinë Korçë dhe Vlorë, ka pasur një numër të konsiderueshëm të larguarish, numri i të cilëve arrin në 5. Më pas renditen Bashkitë e Lezhës, Fierit, Lushnjës dhe Tropojës, ku numri i zyrtarëve të larguar arrin në 4. Ndërsa nga Bashkitë e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Peqinit janë larguar 3 zyrtarë. Me të njëjtin numër të larguarish janë edhe Bashkitë e Përmetit, Kavajës dhe Malësisë së Madhe.
Gjyqtarë e drejtorë të larguar
Ligji i dekriminalizimit ka prekur edhe gjyqtarët, të cilët për shkak të akuzave nga ana e medias për përfshirjen në skandale të ndryshme kanë dhënë dorëheqjen. Sipas shifrave, numri i gjyqtarëve të dorëhequr arrin në 5. Po ashtu, ka pasur edhe këshilltarë pranë gjyqësorit, të cilët kanë dhënë dorëheqjen dhe janë shkarkuar. Po ashtu, edhe shumë drejtorë janë larguar nga postet e tyre për shkak të procesit të dekriminalizimit, ku numri i tyre arrin në 45. Por ka pasur edhe zyrtarë të tjerë të larguar për shkak të dekriminalizimit, numri i të cilëve arrin në 110.
Elisjeda Kiko