Zbardhen prapaskenat, ja pse u rritën kreditë e këqija të “Veneto Banka”, Italia i jep dhe 7 miliardë euro bankës “Intesa”

0
513

Dalin në dritë të tjera fakte që tregojnë masakrën që ka ndodhur me kreditë e këqija të “Veneto Banka”. Gazeta prej ditësh ka treguar se si kreditë u rritën në mënyrë të frikshme dhe kjo për shkakun se ishte qeveria italiane ajo që paguante kompensimin e tyre. Media italiane “Vicenza Piu” ka raportuar dje se pas 5 miliardë eurove që u dhanë fillimisht për të mbuluar kreditë e këqija të “Veneto Banka” dhe “Banka Popullore e Vicenzas”, qeveria italiane do i akordojë edhe 7 miliardë të tjera “Intesa Sanpaolo Bank”. Mes këtyre kredive të paperformuara, ashtu siç gazeta “SOT” paralajmëroi pak ditë më parë, janë edhe ato të klientëve shqiptarë. Pra kjo tregon se pse nuk ka pasur interes që këto kredi problematike të negocioheshin me ish-klientët e “Veneto Banka sh.a”, bankë e cila iu dhurua nga qeveria italiane. Pra shteti italian jep para të thata dhe nuk është nevoja të pritet pagesa e kredive. Kjo duket se i intereson edhe Bankës së Shqipërisë, e cila pothuajse çdo vit gjuan operacione të tilla likuidimi bankash, nga ato greke tek italianet. Gjithçka duket perfekte, dhe që funksionon më së miri për Gent Sejkon & Co, por ama janë klientët shqiptarë kreditorë të këtyre bankave që bredhin lart e poshtë nëpër Gjykata dhe Zyra Përmbarimore për kreditë e tyre që shiten sa andej-këndej pa dijeninë e tyre.

Loja me kreditë

Por çfarë do të ndodhë me klientët e rinj, të klasifikuar si të këqij, të Veneto Banka sh.a? Në këto momente ata janë në ajër dhe nuk e dinë realisht se kush dhe si është kreditori i ri i tyre. Teksa “Intesa Sanpaolo Bank” në Shqipëri u ka dërguar një letër detyrimi borxhi që ata i detyroheshin Veneto Banka sh.a, sa hap e mbyll sytë u ka ardhur një tjetër letër. Këtë herë nga Italia, nga ana e SGA spa e cila papritur bëhet kreditori i ri i kredive të klientëve të Veneto Banka sh.a. Në ditët në vijim gazeta do tregojë me fakte dhe batërdinë që ka ndodhur në këtë aspekt. Pra të gjitha këto ndodhin në hundën e Bankës së Shqipërisë. Gent Sejko është personi, i cili lejoi falimentimin dhe kalimin e “Veneto Banka” te “Intesa Sanpaolo”. Në vendimin e tij thuhet qartë se Këshilli Mbikëqyrës i BSH ngarkohet të ndjekë me kujdes gjithë procedurën e falimentit. Por sa aktiv ishte BSH në këtë aspekt? Faktet tregojnë së kjo bankë ka fjetur gjumë dhe ka lejuar masakrën që ka ndodhur. Edhe një njeri që nuk ka fare formim ekonomik dhe nuk ka informacion mbi bankat nis të dyshojë kur sheh që një bankë rrit kreditë e këqija me 150 për qind. Në vitin 2016 “Veneto banka” raportoi se kishte 17 për qind kredi të këqija të të gjitha kredive. Ndërsa në vitin 2017, kur dhe ndodhi falimenti kjo shifër shkoi në 42 për qind. Pra doli banka me kreditë më të larta të këqija. Rezulton se gati gjysma e kredive që kishte “Veneto” u bënë të këqija me një të rënë të lapsit. BSH duhej që këtu të ndërhynte dhe të sqaronte masakrën. Por heshtja e BSH ka bërë që më pas këta persona që janë futur në listën e zezë të përballen me sekuestrim pronash. Fakti që shteti italian vijon të japë lekë e tregon fare qartë arsyen se përse është rritur numri i kredive të këqija.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here