Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shpërthyer dje në kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, pas skandalit me Valdrin Pjetrin. Duke marrë shkas nga publikimi i dënimit për kandidatin e PS në Shkodër, Basha ka nxjerrë dhe emra të tjerë të Partisë Socialistë që janë të lidhur me krimin, sipas tij. Gjatë fjalës së tij në një konferencë shtypi, nuk kanë munguar akuzat ndaj qeverisë. Sipas Bashës, mbijetesa politike e Ramës lidhet me krimin. “Deshi të vinte në krye të shkodranëve një kriminel. Sot ka një përpjekje për ta shitur Valdrin Pjetrin. Sot ka lëshuar mercenarët e tij që ta sulmojnë. Sot befas u zbulua se Valdrini nuk qenka më i denjë për Shkodrën. Ai po përpiqet ta shesë si një person që deshi t’ia hidhte Shkodrës. Në fakt i padenjë është Edi Rama. Valdrinin e çoi në Shkodër Edi Rama duke e ditur shumë mirë kush është ai bashkë me vëllanë e tij. Për Valdrinin, Edi Rama hyri në Shkodër i armatosur. Për Valdrinin e provokoi Shkodrën në një 2 prill të dytë. Atij i duhej Valdrini në Shkodër si kryetari politik i Rilindjes në Shkodër. Ai po përpiqet me shpejtësi ta lajë duart. Rasti i Valdrin Pjetrit do ishte i parëndësishëm nëse do ishte ashtu si thotë Rama. Sot një pjesë e mirë e kryebashkiakëve që Edi Rama i imponoi me dhunë janë pjesë e krimit”, ka deklaruar Basha.
Lista e zezë e dekriminalizimit
Lulzim Basha theksoi se Valdrin Pjetri nuk është rast i veçantë dhe i jashtëzakonshëm, pasi sipas tij, shumë emra të tjerë kryebashkiakësh kanë lidhje të ngjashme. “Pjerin Ndreu në Lezhë, një njeri nga lista e zezë e ambasadës amerikane për përfshirje në trafiqe, u hoq nga policia me Fatos Nanon, u rikthye deputet me Edi Ramën, u kap në dosjen 184, u kandidua për Bashkinë e Lezhës”, ka thënë Basha gjatë deklaratës së tij. Po ashtu emra të tjerë që ai ka përmendur: Valbona Sakon në Durrës, Artur Bushin, Agim Kajmakun, etj. “Në krye të pushtetit lokal Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës kudo në Shqipëri. Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën asnjë fjalë për të thënë për Vangjush Dakon. E ndaluan edhe SHBA-të të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk shkruan asnjë rresht”, ka vijuar më tej Basha. Më tej ai ka listuar dhe emra të tjerë jashtë bashkive, të cilët janë: Damian Gjiknuri, Jurgis Çyrbje, Ilir Ndrazhi, Rrahman Rraja, Taulant Yari, Ulsi Manja, Xhemal Qefaliaj, Paulin Sterkaj. Sipas Bashës, të gjithë të inkriminuarit gëzojnë mbështetjen e qeverisë. “Kush nuk e mban mend më, Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës u shty drejt vetëvrasjes në paraburgimin e stërzgjatur për një cigare hashash, ndërkohë që krerët e bandës së kokainës u shoqëruan nga policia drejt arratisë dhe ata që u kapën tashmë janë liruar. E vërteta është se të gjithë këta i mbrojti Edi Rama, se kështu mbron të vëllanë e tij Olsin e përfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë. E vërteta është se lidhja e Edi Ramës me krimin është një lidhje e përhershme”, ka përmbyllur fjalën e tij Lulzim Basha.
Arbjona Çibuku


































