Hetuesit e vrasjes së Armando Gjinit siguruan kamerat e atentatit ndaj 47-vjeçarit, i cili u vra në mes të Rrëshenit nga dy persona.
Pamjet e atentatit nuk janë bërë publike për median, por hetuesit shtojnë se në filmime shihen dy persona në makinë që i zënë pritë ish-pjesëtarit të grupit të narko-trafikut të Met Kananit. Ata janë kthyer me kurriz nga kamerat për t’iu shmangur identifikimit. Policia po punon për identifikimin e tyre të plotë si dhe për shkaqet e vrasjes tronditëse.
Armando Gjini u vra në prani të djalit të tij 3 ditë më parë në Rrëshen. Ai i kishte shpëtuar një tjetër atentati me eksploziv në muajin maj. Gjini mbante dhe një emër tjetër (Tonin) dhe u ndalua gjatë operacionit ‘’Precizioni’’ bashkë me 37 veta të tjerë për trafikun e 8.4 tonëve kanabis. Grupi i strukturuar kriminal i Met Kananit shkëmbente në Turqi kanabisin me heroinën. Vlera e sasisë së kapur të drogës në 12 maj të 2018 kapi vlerën e 10 milionë €.





































