Të korruptuarit në Shqipëri duket se nuk do vijojnë t’ia hedhin më paq me ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. SPAK do të qëndrojë te godina aktuale e Krimeve të Rënda, ndërsa Byroja e Hetimit do jetë te godina e ish-Ministrisë së Shëndetësisë, ngjitur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Por fokusi i BKH nuk do jenë vetëm pushtetarët e Tiranës, pasi në skaner do kalojnë dhe pushteti vendor. Sapo të ngrihet njësia qendrore e BKH në Tiranë, më pas do ngrihen dhe disa degë të saj në qarqet kryesore të vendit, ku ka dyshime për krim të organizuar dhe rritje të korrupsionit. “Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e kanë vendndodhjen në Tiranë dhe e ushtrojnë juridiksionin e tyre penal në të gjithë territorin e Shqipërisë. Byroja Kombëtare e Hetimit mund të krijojë zyra të përkohshme ose të përhershme jashtë Tiranës, për të përmbushur qëllimin e saj”, thuhet në nenin 10 të ligjit për luftën ndaj korrupsionit. Ndryshe nga SPAK, që do jetë prokurori dhe gjykatë, Byroja e Hetimit do ketë rolin e policisë gjyqësore. Ky organ do ketë në fokus vetëm pushtetarët e nivelet të lartë dhe do të hetojë çdo person kur ka indicie për korrupsion. Në Kroaci nisën hetimet ndaj ish-kryeministrit vetëm se mediat nxorën foto ku Sanader mbante orë të shtrenjta. Pas hetimeve ai u dënua me burg. Edhe BKH këtë rol do ketë. Hetuesit e saj do nisin hetimet pas çdo lloj denoncimi, qoftë mediatik, individual apo institucional. Byroja Kombëtare e Hetimit do jetë një organ që do të kontrollohet nga ndërkombëtarët, por sidomos nga amerikanët. Sipas një raporti të publikuar nga EURALIUS, ekspertët e BE dhe SHBA kanë gati planin për ngritjen e SPAK. Po ashtu, janë përcaktuar pajisjet që do të instalohen aty, bashke me vlerën e secilës. Pajisjet do vijnë nga SHBA dhe BKH do jetë një institucion që do të operojë mbi bazën e hetimeve mbi metoda speciale. Por rolin më të madh aty do e kenë padyshim ekspertët. BKH do ketë ekspertë ligjorë, financierë, kontabilistë, ekspertë përgjimi, etj.