Skuadrat shqiptare eliminohen nga Europa League, Debreceni “shkarkon” Gjokën

0
362

Skuadrat shqiptare janë eliminuar nga Liga e Europës mbrëmjen e djeshme, duke mos ia dalë asnjëra të shkojë në raundin e dytë. Disfatat në ndeshjet e para të Kukësit dhe të Teutës, respektivisht kundër Debrecenit dhe Ventspilsit, nuk kishin krijuar aspak atmosferë pozitive, përkundrazi, skuadrat ishin demoralizuar dhe kualifikimi dukej dhe prej vetë atyre i pamundur. Gjithsesi, durrsakët dolën moralisht të fituar pasi e mposhtën Ventspilsin 1-0, por pa mundur ta përmbysnin atë, kurse Kukësi, edhe pse e nisi mirë pjesën e parë me gol, nuk arriti të bëjë diferencën në pjesën e dytë e për pasojë u eliminua. E vetmja skuadër që kishte shanse për të shkuar më tej ishte Laçi, i cili kishte barazuar në ndeshjen e parë në Kurbin 1-1, por u mund dje 1-0 nga izraelitët e Hapoel Be’er Sheva. Duhet thënë se dy ditë më p;arë ishte eliminuar edhe Partizani, por të kuqtë u mposhtën 2-0 nga Karabagu në Ligën e Kampioneve. Praktikisht Partizani është skuadra e vetme shqiptare që vijon të luajë në Europë, pasi sipas formulës së UEFA-s, nga Champions i eliminuar, do të luajë në raundin e dytë në Europa League përballë skuadrës moldave të Sherif Tiraspolit. Një prej skuadrave që u eliminua dje ishte dhe Kukësi. I pranishëm për të dihatin vit radhazi në kompeticionet e UEFA-s, klubi verilindor kishte pak shanse të kalonte këtë raund, pasi ishte mposhtur nga Debreceni në ndeshjen e parë të luajtur në Hungari me rezultatin 3-0, duke pasur vetëm shanse teorike. Dhe ndeshja e kthimit, që u luajt dje në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi në barazim 1-1.

Ndeshja

Sfida e mbrëmjes së djeshme në “Elbasan Arena” ishte një aventurë në kufijtë ekstremë për verilindorët që gjithsesi tentuan të bëjnë befasinë dhe kaluan shpejt në avantazh me Et’hemin. I njëjti futbollist pati një mundësi të artë të dyfishojë shifrat në fundin e pjesës së parë, por gaboi përballë portierit hungarez Nagi. Në pjesën e dytë skuadra e Gjokës tentoi disa herë të gjejë golin që do të “ndizte” entuziazmin dhe shpresat për kualifikim, por në momentin më të mirë, pësoi një gol nga pakujdesia e portierit Frashëri, duke shndërruar në një mirazh, kalimin për në turin tjetër. Sfida e mbrëmjes së sotme përfundoi në barazim 1-1, me hungarezët që vijojnë më tej falë rezultatit të përgjithshëm 4-1, ndërsa Kukësit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të fillojë punën për të përgatitur sezonin e ardhshëm të Superligës. Edhe pse Kukësi shënoi shumë shpejt, me anë të Valion Ethemit në minutën e 17-të, nuk ia doli në pjesën e dytë të realizonte përmbysjen e madhe. Hungarezët goditën në momentin e duhur me anë të një kundërsulmi dhe ia dolën të siguronin kualifikimin, pasi për të shkuar më tej Kukësit i duheshin katër gola të tjerë, gjë që dukej një mision i parealizueshëm. Fatale për verilindorët e Superiores tonë rezultoi humbja e ndeshjes së parë me shifrat e thella 3-0 në Hungari. Debreceni kalon më tej me këtë rezultat, ndërkohë që tek Kukësi pritet të ketë ndryshime, që mund të nisin nga stoli, pasi ky eliminim mund t’i kushtojë trajnerit Gjoka e në vend të tij, sikurse raportojnë mediat sportive, mund të vijë tekniku Ilir Daja. Me eliminimin e Kukësit, duhet thënë se përfundoi në mënyrën më të keqe aventura e skuadrave shqiptare në Europa League, ku përveç verilindorëve u eliminuan edhe “Djemtë e detit”, pra Teuta e teknikut Bledi Shkëmbi, si dhe Laçi i trajnerit Sulejman Starova. Tashmë e vetmja skuadër shqiptare që “do të mbajë flamurin” në Europë, është Partizani kampion, që u eliminua nga eliminatoret e Champions League, por do të vijojë garën në Europa League, ku do të gjejë përballë moldavët e Sherif Tiraspolit. Mbetet të shihet se çfarë ecurie do të kenë të kuqtë në Europa League, por kampionët e Moldavisë kanë një skuadër mjaft cilësore. Në gjirin e tyre luan edhe ish-mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here