Reeker: Serbia dhe Kosova të kthehen në tryezën e bisedimeve, SHBA e gatshme të përfshihet në dialog

0
376

Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, tha dje se rinisja e dialogut është rruga e vetme drejt zgjidhjes mes Kosovës e Serbisë, dhe ofroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përfshihen për të ndihmuar. Ai nxiti palët të marrin situatën në dorë dhe të mos presin që të tjerët të vendosin për ta. “Serbia dhe Kosova duhet të kthehen në tryezën e negociatave. Kam kaluar shumë kohë në atë tryezë me ta. Mendoj se vullneti i mirë ekziston tek të dyja palët, për të ardhur deri tek zgjidhja dhe të arrihet më shumë qëndrueshmëri dhe ardhmëri për tërë Ballkanin Perëndimor”. Shtetet e Bashkuar janë të gatshme të angazhohen. Në fakt unë po bisedoja me sekretarin Pompeo rreth kësaj, në mëngjes. Dëshirojmë të shohim lëvizje atje, por puna është se ne nuk mund ta bëjmë atë për ju. Kosova dhe Serbia duhet të vendosin së bashku të kthehen në tryezën e dialogut”, tha ai. Reeker shtoi në fjalën e tij para Këshillit të Atlantikut në Uashington, se ka diskutuar me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo lidhur me një rol më të fuqishëm të SHBA në procesin e dialogut. “Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë evropianë. Personalisht isha i përfshirë në një fazë të hershme të dialogut që çoi drejt marrëveshjes së Brukselit, gjë që unë besoj se ka bërë një ndryshim të madh në funksionalizimin e jetës, krijimin e një ritmi dhe zvogëlimin e tensioneve në rajon në pesë vitet e fundit,” tha Reeker.

Shembull nga Maqedonia e Veriut

Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të marrim shembull nga marrëveshja e arritur nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia: “Ishim dëshmitarë të asaj që ndodhi në Maqedoninë e Veriut, me udhëheqës të guximshëm që punuan me udhëheqës të guximshëm në Greqi, për arritjen e marrëveshjes së Prespës. Kjo duhet të jetë shembull se si çështje të vështira, që e kanë shqetësuar rajonin për shekuj të tërë mund të zgjidhen duke u ulur së bashku, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe miqve e aleatëve”. Reeker shtoi se fazat e hershme të dialogut në Bruksel edhe pse pa sukses të plotë, kanë bërë dallimin dhe kanë dhënë kontribut duke ndikuar në zbutjen e tensionit në rajon. Zyrtari më i lartë në DASH që merret me Ballkan ka thënë se beson që tek të dyja palët ekziston vullneti që të gjendet zgjidhje për dialog. Ai inkurajoi Kosovën e Serbinë t’u kthehen negociatave duke premtuar mbështetjen e plotë të SHBA-së, tha ai para Këshillit të Atlantikut.

Koordinim me Francën e Gjermaninë

Presidenti i Francës Emanuel Macron ka thënë një ditë më parë gjatë vizitës në Beograd se tashmë ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të organizojnë takimin Kosovë-Serbi. Zhvillimi nuk duhet nëse është një nxitje apo një tentativë përjashtimi për përfshirjen e SHBA në zgjidhjen e nyjes Kosovë-Serbi, si pika më e nxehtë e sferës së influencave Lindje-Perëndim. Pas bisedës së gjatë kokë më kokë Me Vuçiç, Macron tha Franca do të punojë me të gjitha forcat për aspiratat evropiane të Serbisë, dhe të Kosovës. “Ne ishim shumë të sinqertë në bisedime. Franca dëshiron që të arrihet një marrëveshje prandaj unë do të organizoj një takim me ju, kryeministren e Serbisë, udhëheqjen e Kosovës dhe kancelares Merkel. Serbia dhe Kosova janë vende evropiane dhe ne duam që kjo të shndërrohet në fakt. Përgjegjësia jonë është të japim mbështetje për stabilitetin e rajonit”, tha presidenti Macron, duke shtuar se marrëveshja finale me Kosovën të sigurojë që të mos përsëritet historia e para 20 vjetëve. “Duhet ecur përpara. Unë nuk kam përgjigje konkrete për ju. Nuk ka zgjidhje magjike. Askush nuk e ka zgjidhjen në xhep. Zgjidhja është te ju”, porositi Macron. Ai shtoi më tej se dëshiron të ndërtojë një të ardhme të re evropiane me Serbinë dhe se dëshiron të forcojë lidhjet mes Serbisë dhe Francës në fushën e sigurisë.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here