Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi ditën e djeshme mbledhjen e fundit të këtij sesioni parlamentar. Në këtë mbledhje një ndër projektligjet që u miratua ishte “Për mbrojtjen civile”. Të pranishëm në komision për këtë projektligji ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Por miratimi i këtij projektligji nuk kaloi pa debate mes socialistit Bashkim Fino dhe kreut të komisionit Ulsi Manja. Bashkim Fino, deputeti socialist që kohët e fundit është përfshirë në debate me kryetarin e Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, por edhe kolegë të tjerë socialistë, sërish replikoi në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Fino kundërshtoi miratimin e nenit 41 i sjellë në rend dite, nen i cili kishte të bënte me fondet e bashkisë në rastet e emergjencave. “Më dëgjoni me kujdes se pastaj i kaloni me shpejtësi në votim. Ju kryetar mund të ngeleni i kënaqur nga përgjigjja, ndërsa unë jam totalisht i pakënaqur nga përgjigjja sepse bie ndesh me ligjin e pushtetit vendor. Nuk mund të vendos Ministria e Mbrojtjes por edhe ne me ligj bashkisë këtë 8 për qind. Ne bëmë debat për 4 përqind nga fondet e kushtëzuara të qeverisë. Tani ti thuash që në rast se vlera e kompensimit të kaloj 8 përqind të buxhetit të bashkisë, mua më duket jo korrekte”, tha Fino. Por mendimi i Finos u kundërshtua direkt nga kreu i Komisionit Ulsi Manja, i cili u shpreh se duhen propozime konkrete. “Jemi në diskutimin e ligjit për mbrojtjen civile dhe duhet propozim konkret. Nëse ka propozime bëjini por jo të mbërtheheni në diskutime. Kur të zbardhim ligjin duhet të jetë e qartë”, tha Manja. Ligjvënësi socialist vijoi debatin mbi ligjin e propozuar nga qeveria. Madje edhe duke ngritur tonin. Kur pa se vërejtjet e tij nuk morën mbështetje, Bashkim Fino votoi kundër nenit përkatës dhe u largua nga salla e Komisionit. Një javë më parë mes tyre pati një tjetër përplasje, në seancën ku ishte i pranishëm edhe avokati i shtetit Artur Metani.







































