Shtohen zërat se skenarët destabilizues të opozitës shqiptare po i shërbejnë Moskës. Ekspertë të ndryshëm botërorë kanë hedhur akuza se pas protestave të dhunshme, bojkotit të opozitës në zgjedhje dhe djegies së mandateve fshihet Rusia. Po ashtu gazeta tregoi se si presidenti Meta kishte dhënë një intervistë të fshehtë për mediat ruse. Dje ka folur për situatën në Shqipëri, Janusz Bugajski, ekspert për Ballkanin në Qendrën për Analiza të Politikës Evropiane (CEPA) me seli në Uashington. Ai ka deklaruar se situata që po ndodh në Tiranë është në favor të Moskës, e cila mund ta shfrytëzojë për të destabilizuar gjithë Ballkanin. “Rusia do të jetë përfituesi kryesor ndërkombëtar nëse Shqipëria do të përfshihej nga konfliktet e brendshme dhe paqëndrueshmëria. Krizat politike të cilitdo shtet evropian e bëjnë Moskën të ‘lulëzojë’. Sepse kur institucionet dobësohen, ligji dhe rendi prishen, fraksionet politike në konflikt bëhen më të hapura ndaj ndihmës të të huajve, dhe fuqitë perëndimore janë të përfshira në menaxhimin e konfliktit, Rusisë ka mundësinë të rrisë ndikimin e saj”, tha ai. Sipas Bugajskit, nga pikëpamja propagandistike dhe e dezinformimit, Rusia do ta përshkruajë dhunën politike ose rënien institucionale në Shqipëri, si një dështim tjetër të Perëndimit. Më tej ai ka shtuar se një skenar i tillë shkatërrues do të përdoret nga Kremlini për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi në NATO nuk mund të garantojë siguri dhe se Bashkimi Evropian nuk mund të promovojë zhvillim. “Mediat në pronësi të Rusisë, vizitorët në shtetet perëndimore dhe influencuesit pro-Moskë në një numër të madh rrjetesh sociale do të hedhin dyshime duke nënvlerësuar nevojën e vetë vazhdimit të ekzistencës së NATO-s. Ata gjithashtu do të hedhin baltë mbi logjikën e mbajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Nëse një Shqipëri vendosmërisht pro-amerikane nuk mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin e saj me ndihmën amerikane, atëherë mund të thuhet se asnjë vend nuk mund të mbështetet te Uashington si te një mik dhe aleat i ngushtë”, ka vijuar ai.
Destabilizimi i Ballkanit
Bugajski ka deklaruar se përplasjet politike në Tiranë dhe skenarët destabilizues do të ndihmojë Moskën në fushatën e saj për të destabilizuar dhe delegjitimizuar Kosovën si një shtet të pavarur. Ai u shpreh se zyrtarët e Kremlinit do të inkurajojnë nacionalizmin serb dhe pretendimet e Beogradit për territorin kosovar me pretekstin e parandalimit të përsëritjes të një skenari si ai i Shqipërisë në Kosovë. Por ndikimi mund të shtrihet dhe në Maqedoni e Mal të Zi. “Kriza në Shqipëri do të përdorej nga Moska edhe për të destabilizuar Maqedoninë e Veriut dhe për të parandaluar hyrjen e saj në NATO. Si mediat ashtu edhe zyrtarët e shtetit rus do të inkurajojnë nacionalizmin maqedonas si një vetëmbrojtje ndaj radikalizimit të supozuar shqiptar dhe do të përpiqen të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike si dhe të prishin qeverinë e koalicionit në Shkup. Ata do ta quajnë hyrjen në NATO një recetë për konflikt edhe më të madh, i cili nuk mund të parandalojë një sulm potencial mbi kufijtë shtetërorë. Destabiliteti i Shqipërisë mund të ‘eksportohet’ edhe në Mal të Zi, pasi Putini mund të kërkojë të hakmerret për grushtin e dështuar të shtetit të orkestruar nga ai kundër qeverisë pro-perëndimore në tetor 2016. Militantizmi mund të nxitet brenda të gjithë grupeve etnike si një mënyrë për të dobësuar shtetin malazez dhe suporti ndaj nacionalistëve serbë pro-rusë mund intensifikohet”, ka shtuar Bugajski. Më tej eksperti amerikan ka thënë se Rusia ka spiunët e saj në Tiranë, ashtu si në shumë shtete të tjera, që i shfrytëzon për këto çështje. “Që nga rënia e komunizmit në fillim të viteve 1990, Rusia e ka rritur në mënyrë domethënë sesi praninë e saj diplomatike edhe atë të spiunëve në Shqipëri. Ashtu si në shtetet e tjera evropiane, Moska ndjek rrugën e depërtimit në shërbimet lokale të inteligjencës, shoqatave të biznesit, qarqeve politike, organizatave mediatike, rrjeteve akademike dhe grupeve të shoqërisë civile”, tha ajo. Pra duket se Moska i ka sytë te Ilir Meta dhe te opozita për destabilizimin e vendit.
Kliti Topalli