Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e shkarkimit për kryetarin e Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj. Në vendim KPK ka renditur të gjitha arsyet pse Jaupaj u përjashtua për 15 vite jashtë sistemit të drejtësisë. Sipas vendimit, ai ka probleme me pasurinë. Në vendim thuhet se trupa gjykuese i ka kërkuar subjektit të rivlerësimit që të shprehej mbi apartamentin të cilin deklaronte si adresë banimi. “Ai së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në periudhën 2011 – 2017, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në një dhomë në apartamentin në bashkëpronësi të prindërve të tij”, citohet në vendimin e zbardhur. KPK arsyetoi se mosdeklarimi i kësaj pasurie ishte në shkelje të ligjit. “Konstatohet se subjekti nuk i ka deklaruar këto pasuri në përdorim nga ana e tij në deklaratën veting dhe, si rrjedhojë, nuk ka dorëzuar dokumentacionin justifikues ligjor lidhur me ligjshmërinë e burimit të të ardhurave që kanë shërbyer për krijimin e tyre”, thuhet në vendim. Por përveç mosdeklarimit, KPK ka ngritur dyshime se Roland Jaupaj ka qenë në konflikt interesi për këtë apartament. Sipas vendimit, ai ka dhënë vendim për një çështje gjyqësore, palë në të cilën ishte edhe kompania që ka ndërtuar apartamentin e tij vetë, vetëm disa muaj para se prindërit e tij dhe ai të vendoseshin në këtë apartament. Sipas vendimit të zbardhur Jaupaj e kishte përdorur shtëpinë për dy vjet, pa pasur ndonjë kontratë të babait të tij me kompaninë ndërtuese dhe pa ndonjë shpërblim financiar. Po ashtu KPK gjeti se kur u bë një kontratë shitblerje në vitin 2012, babai i Jaupaj pagoi vlerën prej 3,600,000 lekësh për apartamentin dhe 400,000 lekësh, për bodrumin (garazh). E njëjta pasuri 15 ditë më vonë u rivlerësua. Apartamenti u vlerësua në 9.9 milion lekë, ndërsa garazhi në 900 mijë lekë. Sipas KPK, këto çmime janë preferenciale. Pas këtij konstatimi, KPK i kërkoi një mendim edhe ILDKP për konflikt interesi, i cili e ka pohuar një gjë të tillë. “Nga analizimi ligjor i rastit, ka arritur në konkluzionin se nuk mund të vlerësohet dot nëse zyrtari/gjyqtar, z. Roland Jaupaj, ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e çështjes me palë shoqërinë si dhe në vendimmarrjen gjyqësore, pra, nëse gjendemi para një “konflikti faktik interesi”, si dhe një nga llojet e “konfliktit rast për rast të interesit”, thuhet në vendimin e KPK.