Gjykata Penale e Shkallës së Parë i hapi rrugë dje përballjes së Izet Haxhisë me ish-kryeministrin Sali Berisha. Mesditën e djeshme u mbajt seanca e radhës gjyqësore për ish-truprojën e Berishës, i cili po rigjykohet për vrasjen e Azem Hajdarit. Gjatë kësaj seance trupa gjykuese rrëzoi pengesat për zhvillimin e procesit gjyqësor. Në seancën e parë gjyqtarët evidentuan faktin se familjarët e të ndjerit Azem Hajdari nuk ishin paraqitur në seancë. Më konkretisht, bashkëshortja Fatmira Hajdari dhe fëmijët Rudina Hajdari, Kiri Hajdari dhe Azem Azem Hajdari nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, edhe pse ishin njoftuar. Një mungesë e tillë u vu re edhe gjatë seancës së djeshme. Për të mos krijuar zvarritje të procesit gjyqësor, avokati mbrojtës i Haxhisë, Idajet Beqiri kërkoi që gjykimi të vijonte në mungesë të familjarëve. Një kërkesë e tillë u mbështet edhe nga prokuroria. Pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, treshja gjykuese vendosi të mos i njoftojë më të afërmit e Azem Hajdarit dhe të vijojë procesin gjyqësor në mungesë të tyre. Nga ana tjetër, Idajet Beqiri kërkoi që për të marrë pjesë në seancat gjyqësore të njoftohen edhe trashëgimtarët e dy viktimave të tjera, Besnik Çera dhe Zenel Neza. Kjo kërkesë u pranua nga trupa gjykuese, e cila i la kohë vetes deri në datën 19 korrik për të njoftuar trashëgimtarët në fjalë. Por interesant është fakti se nëse edhe ata njësoj si familjarët e Azem Hajdarit nuk paraqiten në sallën e gjyqit, atëherë procesi do të vijojë edhe në mungesë të tyre. Diçka të tillë e bëri të ditur vetë trupa gjykuese, e cila theksoi se për kërkesën e avokatit Idajet Beqiri për lehtësim mase për Izet Haxhinë do të shprehet në seancën e radhës. “Duhet të bëhet njoftimi i të gjitha palëve, edhe i familjarëve të viktimave me qëllim që ne të shprehemi për kërkesën tuaj për lehtësim mase. Nëse ata nuk paraqiten, atëherë procesi vijon normalisht”, u shpreh trupa gjykuese. Fakti që pas 19 korrikut procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë do të vijojë pa asnjë pengesë, edhe nëse familjarët nuk paraqiten, do të thotë se përballja e truprojës me Sali Berishën do të jetë e afërt.
Në shtator nisin dëshmitë dhe publikohen provat e reja
Pas 19 korrikut pritet të ketë zhvillime të rëndësishme sa i takon dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Gjatë gushtit gjyqtarët marrin pushimet, që do të thotë se procesi gjyqësor për Haxhinë do të vijojë në shtator. Në këtë muaj pritet që puna të vijojë me thirrjen e dëshmitarëve dhe marrjen e tyre në pyetje. I pari që listë që Izet Haxhia e kërkon në sallën e gjyqit që të japë llogari është Sali Berisha. Haxhia e akuzon Berishën se është ai organizatori i atentatit ndaj Azem Hajdarit. Brenda shtatorit pritet që ish-kryeministri të shihet duke u futur në ambientet e gjykatës për t’u përballur me Izet Haxhinë dhe provat e tij të reja. Ai ka deklaruar se në dorë ka materiale që provojnë pafajësinë e tij, ku përmendim bllokun e shënimeve sekrete të Perikli Tetës; bllokun e shënimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Albert Dervishi;tabulatet e celularëve; kronikën e regjistruar e gazetarit Artan Hoxha; regjistrimin e bisedës me diktofon të Ylli Rakipit me të plagosurin rëndë, Zenel Neza në prani të Berishës tek Spitali Ushtarak.Përveç Sali Berishës, Izet Haxhia ka përgatitur një listë edhe me 41 emra të tjerë që do t’i thërrasë për të dëshmuar për të provuar pafajësinë e tij. Pjesë e listës janë edhe një sërë emrash të njohur si ish-kryeministri Fatos Nano, gazetarët Ylli Rakipi dhe Alfred Peza, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, demokratët Genc Pollo, Jemin Gjana dhe Jozefina Topalli, por edhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, etj.