Surprizë e orës së fundit, Partizani tenton të afrojë vëllain e Ekubanit

0
362

Partizani shpreson të bëjë një merkato cilësore sa u përket emrave dhe për këtë janë gati të heqin dorë nga sasia. E thënë ndryshe, nuk duhen shumë lojtarë, por ata që duhet të vijnë në këtë fazë kalimtare verore duhet të jenë emra të spikatur në fushë. Prandaj dhe klubi ka prej ditësh që po studion tregun e huaj, duke tentuar të marrë lojtarë cilësorë dhe të perspektivës. Dhe dje erdhi lajmi surprizë, një informacion i orës së fundit, ku “demat”, falë një merkato aktive jashtë vendit, kanë pikasur një lojtar të ri 19-vjeçar që ka një lidhje jo të vogël me Partizanin. Kjo pasi ai është vëllai i ish-sulmuesit të skuadrës së kuqe, Kaleb Ekuban. Në fakt, faza përgatitore në Slloveni dhe ndeshjet e zhvilluara përballë kundërshtarëve si Sarajevo, Mura apo edhe Krakovia, treguan se të kuqtë kanë disa probleme. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për fazën mbrojtëse ku kampionët e Shqipërisë pësuan shumë gola, por edhe në repartin ofensiv nuk pati shumë rrezikshmëri. Dëmtimi i Bardhit, apo edhe largimi i Hebajt kanë prishur jo pak punë për trajnerin e ri Franko Lerda. Italiani ka provuar me Çinarin dhe Mensah, megjithatë në ekip ndihet mungesa e një goleadori. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Partizanit kanë hedhur vështrimin nga tregu i huaj, për të gjetur elementin e duhur. Së fundi, siç raportohet edhe nga një specialist i merkatos përtej Adriatikut si Xhanluka di Marcio, të kuqtë kanë gjetur gjuhën e përbashkët me klubin e Hellas Verona për të huazuar sulmuesin Jozef Ekuban. Ekuban nuk është aktivizuar asnjëherë me ekipin e parë të Veronës, megjithatë është pjesë e të rinjve veronezë. Ekuban është një mbiemër i njohur për Partizanin, teksa më parë në radhët e të kuqve ka qenë një sulmues si Kaleb Ekuban, i cili la gjurmë në futbollin shqiptar falë cilësive të shfaqura. Dhe 19-vjeçari, Jozef Ekuban është vëllai i Kaleb Ekuban. Te Partizani shpresojnë që edhe vëllai i vogël të jetë po aq cilësor sa i vëllai i madh, teksa maja e sulmit të kryeqytetasve, mesa duket do të udhëhiqet sërish nga një Ekuban.

Ndeshja me Karabagun, Partizani publikon çmimet e biletave

E ndërsa mbetet më pak se një javë kohë nga dueli me Karabagun, përballja e parë në turin e parë eliminator të Ligës së kampioneve, të kuqtë janë duke konsoliduar grupin, duke harmonizuar elementët me grupin dhe duke harmonizuar repartet me njëri-tjetrin. Rivali azer është një skuadër shumë e fortë dhe me eksperiencë tashmë në kompeticionet e UEFA-s, prandaj ekipi i Partizanit duhet të bëjë kujdes dhe të luftojë me zgjuarsi në këtë tur, për të shpresuar tek një kualifikim i mundshëm. Ndeshja e parë do të luhet në Tiranë, prandaj Partizani ka inkurajuar tifozët që të jenë të shumtë në stadium, ndërkohë që ka vënë në dispozicion të fansave edhe biletat e kësaj ndeshjeje. Pra, Partizani ka publikuar çmimet e biletave për ndeshjen e parë të turit të parë të Champions League ndaj azerëve të Karabag që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në stadiumin Selman Stërmasi në kryeqytet. Duke qenë se ndeshja luhet në një orar të pazakontë, klubi kryeqytetas ka vendosur të njëjtat çmime si në ndeshjet e Kategorisë Superiore në mënyrë që të ketë sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. “Ju njoftojmë se për këtë takim çmimet e biletave në Tribunat respektive të stadiumit “Selman Stërmasi” do te jenë: Biletat në Tribunat: A1, A2 dhe B1 , B2 do të kushtojnë 1 000 Lekë, Biletat në Tribunat:  1,C2,D1,E,F,G1,G2,H1,H2 do të kushtojnë 300 Lekë, Biletat do të mund ti siguroni duke filluar nga dita e premte date 5 Korrik e në vazhdim në këto orare: paradite 10:00 – 13:00, pasdite 17:00 – 20:00 pranë pikës së shitjes, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here