Kthimi i Roshit në Kombëtare nxori “out” Grezdën, vetëm Uzuni e bindi Rejën

0
379

Kombëtarja ka bërë ndryshime në lojë dhe në skemë duke pasur përmirësim në rezultate dhe nën drejtimin e trajnerit Edi Reja progresi ka qenë i kënaqshëm. Edhe pse humbi në Islandë, përfaqësuesja u paraqit mirë në fushë, madje duke dominuar ndaj kundërshtarit dhe duke pasur shanse edhe ta fitonte ndeshjen sepse islandezët erdhën vetëm një herë në portën tonë dhe shënuan një gol, kurse kuqezinjtë nuk ia dolën të ishin efikasë në finalizim pavarësisht rasteve të shumta që patën në dispozicion. Kurse në ndeshjen me Moldavinë situata erdhi në përmirësim dhe pavarësisht se disa aspekte të lojës çaluan, ishte merita e grupit që e zgjidhi si duhet ndeshjen, duke fituar 2-0 dhe duke marrë tri pikë që e fusin Shqipërinë në “vallen” e kualifikimit. Por në fitoren e fundit një peshë të konsiderueshme pati padyshim Odise Roshi, i kthyer në Kombëtare pas një viti si pasojë e një dëmtimi të gjatë. Dhe rikthimi i Roshit ishte sensacional, pasi falë dy asistove të tij skuadra doli te goli dhe është meritë e fierakut që shënuan Cikalleshi dhe Ramadani, ky i fundi me një lëvizje të zhdërvjelltë personale. Trajneri Reja në daljet e tij për mediat italiane ka sqaruar disa pozicione të tij dhe të lojtarëve, duke vënë në pah rolin e Roshit dhe rikthimin e tij entuziast si kuqezi. Mesfushorin me tipare sulmuese në kahun e djathtë e do grupi dhe kjo u vu re edhe nga fakti se Grezda që shpesh e mbulonte këtë rol u largua që gjatë ditëve përgatitore, si pasojë e pakënaqësisë në lidhje me qëndrimin në stol. Grezda kuptoi se nuk ishte zgjedhje e parë e Rejës, prandaj edhe nxori justifikim arsyet personale për t’u larguar. Në fillim trajneri justifikoi largimin e tij me një arsye të fortë familjare, por në mediat italiane pak ditë pas ndeshjes me Islandën dhe Moldavinë deklaroi e Grezda nuk ishte përmbajtur në zgjedhjen e skemës, se kishte gabuar dhe është detyrë e trajnerit të vendosë lojtarët më fushë. Reja kishte kapur “filmin” që në fillim: Grupi dëshironte Roshin në fushë, plus eksperienca që ka fieraku, plus harmonia me lojtarët e tjerë. Pra Roshi e nxori “jashtë loje” Grezdën dhe ky është fakt evident. Grezdës tani e tutje i duhet të punojë fort me ekipin e tij që të rikapë rolin titullarit me Kombëtaren, pra i duhet të sfidojë Roshin, gjë që është e vështirë. Jo vetëm kaq, por Odise Roshi tregoi se di të bëjë mirë dhe në krahun e majtë dhe jo vetëm të djathtin, kjo falë shpejtësisë dhe aftësive të shkëlqyera teknike që ai disponon. Reja pra është tani i qartë në zgjedhjet e tij, pasi Roshin e do grupi dhe përshtatet më mirë me lojën e tij. por trajneri në mediat italiane ka zbuluar se nuk mund të lerë jashtë vëmendjes Myrto Uzunin, i cili, sipas trajnerit, punon fort me skuadrën e tij, ka minutazh në këmbë dhe njëherësh lufton fort në stërvitje, duke e merituar rolin e titullarit para disa lojtarëve të tjerë që kanë më shumë eksperiencë. Për më tepër, Uzuni është i komandueshëm dhe Rejës i pëlqen të lëvizë në fushë sipas situatës dhe këtë Uzuni e kryen më së miri. Nga ana tjetër, Uzuni ka cilësitë e dribluesit në hyrje të zonës dhe njëherësh aftësinë për të depërtuar në krah, falë shpërthime të tij dhe kjo ka dhënë efekte pozitive. Vetë Reja e ka cilësuar lojtar që i duhet Kombëtares dhe ia ka lënë të hapura dyert Myrto Uzunit, kurse largimi demonstrativ i Grezdës duket e do ta penalizojë kosovarin,q ë tani e trutje do ta ketë të vështirë të rikapë rolin e tij në fushë. Mbetet të shihet performanca e futbollistëve kuqezi në javët dhe muajt e ardhshëm, por duelet e shtatorit kundër Francës dhe Islandës janë vendimtare. Shqipërisë i duhet me patjetër të marrë fitoren me islandezët dhe njëherësh të marrë pikë ndaj Francës. Katër vjet më parë Shqipëria e mundi në Elbasan në një takim në atë kohë thuajse miqësor (nuk kishte peshë kualifikuese e pikavarazhi dueli në grup, sepse Franca ishte pritëse e Europianit), kurse në këtë shtator i duhet ta mundë në ndeshje zyrtare. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here