Çelet kësti i 11-të i dëmshpërblimit për ish të-të dënuarit politikë për kategorinë parësore, zbardhet urdhri nga Financat

0
456

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka çelur këstin e 11-të të shpërndarjes së dëmshpërblimit për ish- të dënuarit politikë të regjimit komunist për subjektet përfituese të kategorisë parësore. Ministrja Anila Denaj ka firmosur urdhrin përkatës për çeljen e këtij kësti, përkatësisht Urdhrin nr. 217, datë 10.6.2019, me anë të të cilit ngarkohet Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit, për zbatimin e tij. Urdhri është firmosur në përfundim të likujdimit të këstit të 10-të për 75 subjekte përfituese të kategorisë parësore, nga 84 subjekte të përllogaritur në total. Përfituesit e kategorisë parësore, të cilët presin t’u disbursohet ky këst, përllogariten të jenë 70 në total, 20 prej të cilëve i likujdohet e plotë vlera e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave në këstin e 11-të. Fondi në dispozicion, i cili do të përdoret për likujdimin e këtij kësti, kap vlerën prej 55.216.887 lekë, ose e thënë ndryshe 15% e fondit total të miratuar të mbetur në dispozicion për këtë vit, i cili do të përdoret për likujdimin e këstit të 11-të.

Si do të kryhet pagesa                                                                    

Në zbatim të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 419, datë 14.04.2011, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë informon se ka filluar procedurën e pagesës së këstit të njëmbëdhjetë për kategorinë e subjekteve përfituese parësore,me Urdhërin nr. 217, datë 10.06.2019 të Ministres së Financave dhe Ekonomisë. Pagesa për kategorinë e subjekteve parësore, kryhet sipas kësaj radhe: Ish të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; Ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; Ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së pare në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Dokumentet

Të gjithë subjektet përfituese të cilët janë pjesë e nënkategorisë së parë dhe të dytë, duhet të paraqiten në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të plotësuar Deklaratën Personale të Aplikuesit me qëllim mundësimin e printimit të certifikatës së tyre personale nëpërmjet portalit të ofrimit të shërbimeve të qytetarëve online, e-albania. Gjithashtu këto subjekte duhet të depozitojnë pranë zyrave të Financave një numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv). Për nënkategorinë e tretë parësorë ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, dokumentet që duhet të depozitojnë janë: Deklarata Personale e Aplikuesit; Numër llogarie bankare në Lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (Personat që depozitojnë numrin e llogarisë bankare duhet që të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitohet kësti i radhës, të jetë ende aktiv); Vendimi i KMCAP, (KEMP-i epror), i cili vërteton humbjen e plotë të aftësisë për punë, origjinale. Vendimi duhet të jetë plotësuar saktë, me shkrim të lexueshëm, pa korrigjime, duhet të ketë të shkruar emrin/ mbiemrin e anëtarëve të KMCAP dhe nënshkrimin e tyre me vulën e komisionit; Epikrizë për sëmundje onkologjike, malinje dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuara nga: Qendra Shëndetësore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Spitali Universitar “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar “Koço Glozheni” . Kjo epikrizë përgatitet nga mjeku që trajton të sëmurin,nënshkruhet me emrin dhe mbiemrin e mjekut kurues. Shefi i Shërbimit vërteton saktësinë e diagnozës dhe e nënshkruan këtë dokument dhe në fund, epikriza firmoset nga drejtuesi i institucionit shëndetësor me vulën përkatëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here